Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne, 16 shkurt, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku ia ka dorëzuar plot tre herë dorëheqjen deri më tani, por ka qenë ai që ka refuzuar.

“Dhe që të jemi të qartë bashkë, Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. I kam në dosje atje. 3 herë! Një herë, kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Dhe të trija herët, jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha Rama.

Më tej ai e falënderoi zv.kryeministren Balluku për mënyrën se si e ka trajtuar gjithë këtë histori.

“Jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë në fytyrë sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të përcaktohen kushtet dhe këtë se përcakton as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake dhe as media, sepse kështu do i hapnim rrugë një historie që pengon kapacitetet e pushtetit ekzekutiv.

Për ata që më tregojnë Danimarkën, u them se jemi në kushte të ndryshme në Shqipëri, jemi në një fazë revolucionare, transformuese.”, tha Rama.

Kryeministri Rama i bëri këto deklarata gjatë prezantimit për projektligjin që synon të zgjidhë çështjen e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, që doli në pah pas pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Balluku, me vendim të GJKKO-së.

“Kjo nismë thjesht dhe vetëm adreson boshllëkun mendor të shoqërisë sonë”, tha ai duke përsëritur disa herë se projektligji i propozuar sot, nuk cenon pushtetin gjyqësor.

Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij,  kryeministri Rama u shpreh se nëse 100 herë do të kthehej pas sërish do të bënte të njëjtën gjë sa i përket qëndrimit të tij për Reformën në Drejtësi. Ai u shpreh se mazhoranca është e vetmja që mund të garantojë drejtësi të pavarur në Shqipëri.

/tvklan.al