Edi Rama është besimplotë se brenda vitit Shqipëria dhe Greqia do të adresojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve, teksa e cilësoi fqinjin jugor mbështetës të fortë në rrugëtimin tonë europian.

“Më vjen shumë mirë të them se nga ana e Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë adresimin e të gjitha çështjeve të mbartura dhe për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe, nga ana tjetër, për ta mbështetur Shqipërinë gjithmonë në rrugën drejt BE. Jam besimplotë se do të arrijmë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe qoftë për shqiptarët në Greqi.”

Në podkastin e radhës, Kryeministri foli edhe për vizitën e tij në Abu Dabi, të cilën e cilësoi si një shenjë solidariteti pas agresionit nga Irani, gjatë luftimeve të Teheranit kundër SHBA-së dhe Izraelit.

Më pas, kreu i qeverisë u ndal edhe tek siguria ushqimore, për të cilën tha se është një nga sfidat më të ndërlikuara të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara. Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030.”

“Provoni paketën e maleve” ishte edhe këtë të diel thirrja e kreut të qeverisë ndaj atyre që duan të investojnë fitimet në Shqipëri.

“Procesi është bërë i thjeshtë, është bërë i aksesueshëm. Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë. Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme, ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë.”

Në fokus të podkastit të kësaj here ishte edhe programi i ri i qeverisë “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, që pritet të nisë rrugëtimin për t’u ardhur në ndihmë atyre që duan ta kthejnë biznesin e tyre të vogël apo të mesëm në një ndërmarrje fitimprurëse.

“Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot.”

Tv Klan

/tvklan.al