Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorët e Dimalit, ku prezantoi programin e Partisë Socialiste për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Ajo që do të bëjmë është që në Shqipërinë 2030 këtë prodhim të përgjithshëm do ta çojmë në 35 miliardë Euro. Kur  ne morën detyrën të ardhurat në Shqipëri për frymë ishin 3300 Euro. Në Shqipërinë 2030 do të shkojnë në 15 mijë Euro. Kemi sot papunësinë më të ulët historike dhe për herë të parë e kemi ulur papunësinë nën 10%, pra e kemi bërë njëshifrore”, tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij, Rama kritikoi ashpër partitë e reja që kanë hyrë në skenën politike, duke i quajtur kopje të LSI-së dhe të vjetra në mendësi.

“Të tjerët që medemek janë të rinj thonë që “po qe se na vjen ne në dorë kjo punë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ndërkohë që ne na duhet që të mbyllim negociatat me BE në 2027. E kishim ndjesë pastë një LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë, u kthye në nyje në fyt për shqiptarët, tani ne themi shyqyr që shpëtuam nga këta pengmarrësit e vegjël, dalin këta të tjerët dhe thonë do të dalim në zgjedhje të parakohshme”, tha Rama.

Paralajmëroi se çdo alternativë tjetër përveç Partisë Socialiste do të ishte e rrezikshme për vendin.

“Çdo alternativë tjetër, përveç PS, është një alternativë e rrezikut për t’u kthyer përsëri mbrapa drejt të së njëjtës humnerë”, tha Rama.

Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se nga Shqipëria janë larguar 1 milion persona. Sipas tij, përgjigja më e saktë ndaj këtyre akuzave janë rezultatet e censusit.

Klan News

/tvklan.al