Iu vendosi në dispozicion edhe këtë të premte siç bën prej datës 20 tetor, sofrën e dialogut studentëve dhe protestuesve por nga sot kryeministri për të gjithë ata që duan të dialogojnë ofron dhe një platformë të posaçme.
Folmekm.al është adresa e faqes online që Rama ka krijuar posaçërisht për të dialoguar me cilindo që derimë tani ka protestuar dhe refuzuar të ulet ballë për ballë me të e duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.
“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet, kur vijmë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, një urë ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen dhe kështu jemi në kushtet kur në këtë fazë, sepse besoj që më herët se vonë do të shkrihen dhe akujt e vendosur artificialisht nga ata të cilët mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, mund t’i imponohen bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre dhe ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia. E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit”, tha Rama.
Në këtë faqe janë vendosur dhe disa kritere për ata që do të pranojnë ti shkruajnë kryeministrit por dhe një kusht.
Mund të shkruash çdo gjë që ndjen të nevojshme t’ia komunikosh Kryeministrit, qeverisë apo grupit parlamentar të shumicës.
Mund të bësh një pyetje, të kundërshtosh një vendim, të ngresh një shqetësim, të tregosh një problem apo të propozosh një zgjidhje.
Nuk ka pyetje të ndaluara për shkak të përmbajtjes së tyre kritike, mbrohet identiteti i shkruesit nëse nuk do të identifikohet por nuk pranohen kërcënimet, nxitja e dhunës dhe abuzimet ndaj pjesëmarrësve.
Në 2018 kryeministri shkoi në të gjitha auditorët e universiteteve për të komunikuar me studentët pasi u “ lut” për dialog për disa javë por kësaj here studentët që nisën protestën në datën 13 tetor kanë refuzuar në mënyrë kategorike të flasin me të publikisht ndaj kryeministri i është drejtuar teknologjisë për të komunikuar virtualisht me ata që do të duan të flasin me të.
/tvklan.al












Botërori 2026 