16 nëntor 2026- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dënuar interpretimin e një kënge nacionaliste serbe, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, gjatë një koncerti të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë ngjarje si të papranueshme, duke theksuar se ajo nuk duhet të kalohet në heshtje. Ai tha se mbetet e paqartë nëse interpretimi ishte i qëllimshëm apo pasojë e injorancës, por nënvizoi se një veprim i tillë bie ndesh me frymën dhe vlerat që përfaqëson forumi.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se çështja nuk lidhet vetëm me ndjenjat e shqiptarëve dhe të Republikës së Kosovës, por edhe me nevojën për të mos lejuar rikthimin e retorikave nacionaliste të së shkuarës.
“Rreth një të keqeje, që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në të një keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretuar në prag të këtij forumi, në të kundër të gjithçkaje që përfaqëson. Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, kombit shqiptar apo Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën. Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do jetë për Serbinë dhe të gjithë të tjerët. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilat po flasim. Ne po kërkojmë të sjellim Evropën aty. “, tha Rama.
Ai bëri gjithashtu thirrje për angazhim të përbashkët në transformimin e rajonit, duke theksuar se synimi është afrimi me Evropën dhe ndërtimi i një hapësire ku bashkëjetojnë kultura dhe tradita të ndryshme.
Interpretimi i këngës ka nxitur reagime politike dhe kërkesa për sqarime nga Komisioni Evropian, për shkak të mesazhit nacionalist që përcillte në një aktivitet të organizuar në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 
