Kur është gati në përfundim të procesit të hartimit të listave të kandidatëve për deputet për herë të parë në këto 20 vite në drejtimin e partisë Edi Rama ka zgjedhur t’i komunikojë grupit parlamentar skemën mbi të cilën do ndërtohet ekipi që do të kërkojë mandatin e 4 të kësaj force.
“Ne duhet t’i japim shqiptarëve partinë më të vjetër në eksperiencë dhe partinë më të re në energji”, tha Rama.
Çdo deputet aktual i Partisë Socialiste që do përzgjidhet për të qenë kandidat në 11 Maj, përveç drejtueseve politikë do të vendoset në listën e hapur dhe Rama shpjegon arsyet e këtij vendimi.
“Luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë”, tha ai.
Kandidimin e tij thotë se nuk e ka vendosur pasi të qenit deputet kur drejton qeverinë i duket i pakuptimtë.
“Vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund edhe të mos jem fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve, për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt”, tha Rama.
Pjesa dërmuese e 46 vendeve të sigurta në listat e mbyllura do të jenë të rinj, përfshirë siç mësohet dhe një pjesë e ministrave aktualë, por dhe aplikantët në platformën “Deputeti që duam”.
E thënë të gjitha këto Rama ju kërkon dhe të tijëve, por dhe votuesve të kuptojnë se mandati i 4 është jetik dhe për fatin europian të Shqipërisë.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian sot është më shumë se asnjëherë në të gjitha këto vite një çështje ekzistenciale”, tha Rama.
Është në rrezik anëtarësimit në BE nëse ju jepet shansi partive opozitare në 11 Maj që gjithsesi kanë të vdekur çdo shpresë. Sikurse është e pashpresë sipas tij tentativa për t’i ndryshuar imazhin koalicionit të opozitës përmes turistëve amerikanë të shumëpaguar, duke ju referuar shefit të fushatës së demokratëve.
“Nuk ka truk mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi çfarë page nga Amerika për të bërë një makiazh Trump-ist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb”, tha Rama.
Një votë e hedhur dëm bazuar dhe mbi llogaritë matematikore të Kodit Zgjedhor, Rama siguron se është dhe vota për partitë e reja.
“Sikur të bjeri zari tre herë të gjashta mund të kapësh një deputet të ri. Duke votuar këtë parti mund të përfaqësohesh nga një forcë me shumë deputetë të rinj dhe të reja”, tha Rama.
Listat finale kryesia socialiste do t’i miratojë të mërkurën e 12 Marsit. Në mesnatën e kësaj date përfundon në KQZ dhe afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve për çdo qark.
Tv Klan