Spitali i ri mund të vihet në mbështetje të Pediatrisë së Tiranës

2.2 milionë euro është investimi i qeverisë shqiptare për t’i dhënë Durrësit një spital për fëmijë që plotëson të gjitha standardet. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu panë nga afër ambientet e reja të këtij spitali

Sipas Manastirliut, spitali i ri ofron shërbime cilësore për fëmijët dhe kushte më të mira për personelin

“Është një ndër spitalet më të mira pediatrike që kemi. Janë 90 shtretër kapacitet. Është menduar për çdo detaj, të ketë elementët e urgjencës dhe të sigurisë. Çdo detaj është bërë që t’i rezistojë kohës dhe të jetë funksional”.

Duke iu referuar situatës së krijuar nga pandemia e Covid19, Manastirliu tha se pediatria e Durrësit do të mbështesë pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në rast se do të ketë shtim të rasteve të fëmijëve të prekur me Covid-19.

“Duke qenë se QSUT po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë dhe nëse atje do të këtë shtimë të rasteve me Covid-19 apo rritje të numrave, është menduar që pediatria e Durrësit të jetë në mbështetje të QSUT, të jetë back-up i tij. Për rastet me Covid kemi dhe dhomat e izolimit”.

Spitali i ri i fëmijëve në Durrës ka gjithashtu edhe dhoma të dedikuara për prindërit që qëndrojnë me fëmijët.

Tv Klan