Kreu i qeverisë, Edi Rama, ishte i pranishëm këtë të diel, 7 qershor, në Elbasan për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Fillimisht, ai falenderoi mirëpritjen që iu bë, marrë parasysh kushtet atmosferike.
“Shumë faleminderit për mikpritjen tuaj në këtë vapë, është vërtet shenjë respekti për familjen tonë politike dhe për të gjithë ata që u nderuan këtu sot me medaljen e mirënjohjes për çfarë bënë në kohët shumë të vështira kur duhej dhënë jetë, forcë dhe kurajo PS-së”, tha ai.
Rama iu referua periudhës së vështirë të krijimit dhe konsolidimit të Partisë Socialiste, duke theksuar se brezi i ri, sipas tij, nuk e njeh realisht kontekstin historik dhe sfidat e asaj kohe.
“Ndërkohë që duke kujtuar të shkuarën është shumë e vështirë, sot janë bërë shumë vite t’u flitet për atë gjeneratë të re. As nuk e kanë idenë se çfarë ishte koha, rruga dhe sfida e PS-së në krijimin e saj dhe në vitet kur të ishe anëtar i PS-së nuk ishte e lehtë dhe vinte me lloj-lloj kostosh personale, familjare, profesionale. Shumë e shumë socialistë nuk kishin të drejtën e një pune për shkak se ishin anëtarë të PS-së“, tha ai.
Ai solli një shembull nga periudha kur Partia Socialiste ishte në opozitë, duke kujtuar një mesazh nga një mësuese që, sipas tij, ishte votuese dhe anëtare e PS-së, por nuk mund të merrte pjesë në miting për shkak të frikës nga pasojat në vendin e punës.
Rama tha se në atë kohë pjesëmarrja në aktivitete politike mund të sillte pasoja profesionale, pasi, sipas tij, pjesëmarrësit identifikoheshin dhe rrezikonin largimin nga puna.
Kryeministri theksoi se kjo situatë sot është e paimagjinueshme dhe se vendi përballet me sfida të tjera, duke vënë theksin te nevoja për të mos humbur kohën dhe mundësitë e zhvillimit të Shqipërisë.
“Më kujtohet kur kemi bërë një takim këtu në Elbasan dhe kam marrë mesazh nga një mësuese, ishim opozitë, që shkruante se ishte votuese dhe anëtare e PS-së, e më kërkonte ndjesë që nuk vinte dot në miting, ashtu si plot mësuese të tjera, pasi kamerat, materialet filmike që publikoheshin në ekran merreshin dhe shikoheshin njerëzit një më një, dhe ata që ishin të pranishëm, në punë shteti largoheshin nga puna.
Sot, kjo është e paimagjinueshme. Sot kemi të tjera sfida, por sfida e sfidave është që të mos humbim më kohën e Shqipërisë, shanset e Shqipërisë, që të mos humbin trenat e historisë së këtij vendi, sepse kemi humbur shumë kohë, mundësi, disa herë trenin e historisë, pastaj jo në stacion, por në buzë humnerash jashtëzakonisht të rrezikshme…”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 