Që në nisje të takimit me një grup pensionistësh, kryeministri Edi Rama sqaroi se bonusi prej 5 mijë lekësh nuk ka lidhje me asgjë tjetër përveçse me vështirësitë e krijuara nga rritja e çmimeve dhe se qeveria po shpërndan paratë e akumuluara nga rritja e të ardhurave në buxhet.
“Ne s’kemi fushatë këtë vit. Ne s’kemi zgjedhje deri në vitin 2029, kështu që bonusi nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me vëmendjen që ju kemi premtuar se do të kemi vijimësisht”.
Por pjesën më të madhe të bisedës e zuri protesta e qytetarëve, për të cilën Rama thotë se po manipulohet nga interesa të veçanta.
“Tani, gjithfarëlloj sharlatanësh, gjithfarëlloj delirantësh, gjithfarëlloj dështakësh që janë sprovuar në skenën publike dhe që kanë akumuluar një mllef shumë të madh, sepse iu duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë sonë, bëjnë teori dhe i hedhin popullit gjithfarëlloj aguridesh se këto resorte luksi janë vetëm për ata që vijnë dhe shqiptarët janë jashtë sistemit. Kjo është një çmenduri, sepse ato janë ‘fabrika’ që krijojnë lëvizje në ekonomi”.
Sipas Ramës, protesta paqësore tregon lirinë dhe demokracinë e vendit.
“Sot është gjë shumë e madhe që është bërë bulevardi i Tiranës si karnavalet e Rio de Janeiro, që i ndjek gjithë bota. Apo jo? Shkojnë njerëzit, dalin, propozohen, dashurohen, ndahen, martohen në bulevard dhe kjo tregon që ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë edhe në këtë formë liria dhe demokracia”.
Megjithatë, përsërit se janë të papranueshme disa nga thirrjet ekstremiste të protestës.
“Po kjo, ‘çohu nga kafja’, ‘çohu nga kafja’, thoshin skuadronet e Benito Musolinit përpara se të vendosej atje ajo që erdhi më pas. ‘Çohu nga kafja’ ishin edhe ato këmishat e murrme të atij tjetrit atje në Mynih. ‘Çohu nga kafja’ s’ka. Kush do të rrijë në kafe, do të rrijë në kafe. Kush do të shkojë në punë, do të shkojë në punë. Kush do të protestojë, le të protestojë”.
Tha se protesta ka edhe një anë që nuk duket.
“Protesta është ajo që nuk thuhet kur dalin atje shërbëtorë të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe nga Tetova dhe që bëjnë si diasporë, por është edhe ajo që nuk thuhet nga shumëkush që është aty, që nuk ka dalë atje për të bërë rrëmujë, por ka dalë atje sepse do më mirë këtu, më shumë aty, më bukur aty. Perfekt. Dhe këto janë të ndara”.
Për opozitën tha se e ka braktisur detyrën e saj, ndaj mazhoranca qeverisëse do të lexojë siç duhet mesazhin e protestës.
“Dallimi midis flamingove dhe sorrave e korbave është se flamingot janë paqësorë, ndërkohë që sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Kështu që ne, me flamingot, do t’i trajtojmë me shumë respekt dhe me shumë vëmendje shqetësimet dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme. Me sorrat dhe korbat ne nuk kemi çfarë bëjmë fare”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 