Pavarësisht refuzimit të një dite më parë, Kryeministri Edi Rama doli sërish mëngjesin e së mërkurës përpara selisë së qeverisë për të vendosur disa karrige si shenjë për dialog me ata që protestojnë në bulevard.
“Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës”, tha Rama.
Rama thotë se mund të ketë shumë arsye për të protestuar, çështje që sipas tij mund të zgjidhen me dialog, ndërsa dhuna mbetet e papranueshme dhe e ndëshkueshme.
“Ka 1001 pakënaqësi, 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun, për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund të fundit, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehet se për ata që dhunojnë do të ketë një përgjigje ligjore dhe financiare.
“Distancohuni nga dhuna dhe nga ana tjetër çdo dhunues do të marrë përgjigjen. Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante. Përgjigja do të jetë ligjore. Përgjigja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë”, tha Rama.
Kryeministri apelon që e drejta atyre që protestojnë të mos cenojë lirinë e qytetarëve të tjerë.
/tvklan.al












Botërori 2026 