Nderin që i bëhet duke i dhënë mundësinë të flasë përpara Knessetit, Parlamentit të Izraelit, një nder që i bëhet një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj, Edi Rama e përjetoi, siç e pohoi edhe vetë në nisje të fjalimit, me shumë emocion.
“Ende nuk jam plotësisht i sigurt se jam vërtet duke qëndruar pikërisht mbi dyshemenë nën këmbët e mia, dyshemeja prej ku mysafirët më të nderuar të këtij Shteti i janë drejtuar kësaj Dhome. Dhe ndonëse modestia nuk ka qenë kurrë virtyti im më i palëkundshëm, më duhet ta them që e kam të vështirë të besoj se e meritoj një vlerësim kaq të jashtëzakonshëm.
Por jam plotësisht i sigurt se Shqipëria, të cilën e përfaqësoj me krenari, dhe populli im, që i qëndroi si pakkush tjetër pranë popullit hebre, e meritojnë me të vërtetë çdo respekt nga Shteti i Izraelit.
Për të qenë plotësisht i sinqertë me ju, e dija gjithashtu se kur të flisja këtu do të ndihesha si në një provim oratorie, duke pasur përballë një nga pesë oratorët më të mirë në botë, të paktën sipas renditjes sime personale, kryeministrin Netanyahun.
Do të bëj çmos, i dashur Bibi, t’i mbijetoj gjykimit tënd, plotësisht i vetëdijshëm se jam thjesht folësi i dytë në botë pas Presidentit Trump, të cilit ti thjesht nuk mund t’i shmangesh pa e dëgjuar.”, tha Rama.
Për ta nisur fjalimin e tij aspak të shkurtër, zgjodhi fjalët e Presidentit Anwar Sadat të Egjiptit, të thëna pikërisht në të njëjtën foltore, për të treguar sesa rëndësi ka paqja për konfliktet dhe luftërat e nisura nga njeriu për të asgjësuar njeriun, e i humburi i vetëm është po njeriu.
Rama u ndal gjatë të flasë për historitë e zakonshme shqiptare, ku fe të ndryshme bashkëjetojnë në harmoni, dhe shembull është edhe ai vetë dhe familja e tij.
“Unë nuk jam mysliman. Gjysma ime më e mirë është myslimane. Unë jam katolik. Dy fëmijët tanë më të rritur, nga kapituj të mëparshëm të jetës sonë, janë të krishterë ortodoksë. Dhe më i vogli, djali ynë njëmbëdhjetëvjeçar, do të vendosë vetë një ditë, por duke parë entuziazmin e tij të papërmbajtshëm sa herë i thuhet se mund të lëmë dëshirat te Muri i Lotëve, ideja se një ditë ai mund të zgjedhë të bëhet hebre nuk është aspak e pabesueshme. Për ne do të ishte krejt në rregull, njësoj siç do të ishte fare në rregull nëse do të zgjidhte të ishte mysliman apo i krishterë. Megjithatë, mos u gaboni. Ky portret i vogël familjar nuk është një veçanti ekscentrike.”, u shpreh ai.
Një tjetër histori që Rama e tregon gjithmonë me krenari kur përballë ka përfaqësues të popullit hebre është ajo e Shqipërisë nga Lufta e Dytë Botërore, e cila do të mishërohet edhe në muzeun kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në qytetin e Vlorës.
“Askush tjetër në Europë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia e neveritshme ndaj Zotit.
Dhe nuk ka nder më të madh, as përgjegjësi më të rëndë, sesa ta dëshmosh këtë të vërtetë këtu, në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gaza, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshme, izraelite dhe palestineze, ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses. Kjo nuk është legjendë. Kjo është Shqipëria, ku hebrenjtë nuk iu fshehën shoqërisë. Ata u fshehën nga shoqëria.”, janë fjalët e kryeministrit shqiptar.
Autori i vërtetë i burgosjes së popullit të Gazës, tha Rama në parlamentin e Izraelit, “është HAMASI”.
“Ata ngatërruan gishtin me çka gishti tregonte dhe kësisoj dështuan të kuptojnë se burgosësi i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit: ideologjia e tij e terrorit kundër popullit të vet dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa Shteti i Izraelit të asgjësohet dhe hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë. Prandaj, derisa Hamasi të çmontohet plotësisht, dy milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë vërtet të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë.
Heq paralele mes vuajtjeve të popullit të Gazës me atë që shqiptarët përjetuan nga regjimi komunist, se ne shqiptarët e njohim dhimbjen e plagëve të rënda të historisë, dhe për t’i siguruar ata që kanë një këndvështrim shumë të ndryshëm nga imi mbi Gazën si një burg në qiell të hapur, se ne shqiptarët kemi mësuar, në mënyra të vështira për t’u imagjinuar, çfarë ndodh kur ideologjia bëhet zot, kur shteti bëhet altar dhe kur njerëzit shndërrohen në kope për t’u shfrytëzuar ose në individë të shkatërruar për të mbjellë frikë.
Parlamentarëve izraelitë u tregon se shqiptarët, po njësoj si hebrenjtë, kanë pritur edhe iranianë, pavarësisht kostove që kanë marrë mbrapsht.
Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh.
Pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale. Ne i rezistuam. Ata nuk ia dolën.
Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje.
Krenar edhe për faktin se Shqipëria është vend mik si me Izraelin, ashtu edhe me një numër vendesh arabe, pasi vendi ynë, sipas tij, mbetet besnik i vlerave.
Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe ndër miqtë e saj të ngushtë. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.”, tha Rama.
Në mbyllje zgjodhi që të citonte atë që e quajti martirin hebre të paqes, ish-kryeministrin Yitzhak Rabin, për të folur për rëndësinë që ka paqja mes hebrenjve dhe palestinezëve.
“U bëjmë thirrje hebrenjve dhe palestinezëve njësoj të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë dinjitetin njerëzor, të sillen në mënyrë të denjë dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne po nisim një rrugë të re që mund të na çojë drejt një epoke paqeje, drejt përfundimit të luftërave.
Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre.
Për të nderuar kryeministrin shqiptar, fjalime mbajtën edhe Amir Ohana, Kryetar i Knessetit, Kryeministri Benjamin Netanyahu, por edhe Yair Lapid, lider i opozitës, i cili tregoi historinë personale ku të parët e tij ishin ekzekutuar falë ndihmës së hungarezëve dhe austriakëve, ndërkohë që Shqipëria, me moralin njerëzor të besës, solli një model të panjohur në Europën e Luftës së Dytë Botërore: mosdorëzimin e hebrenjve.”, deklaroi ai.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 