Në ditën e 23, Grupi Koordinues i Protestës doli me një deklaratë politike ku ishin rreshtuar kërkesat drejtuar qeverisë, që nga dorëheqja e panegociueshme e saj e deri te një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit. Kjo deklaratë u lexua nga Dritan Goxhaj, i njohur gjerësisht si ish-luftëtar e komandant i UÇK-së.

Por kryeministri Edi Rama ka postuar një dokument që mban datën 21 prill 1999, i firmosur nga një komandant i UÇK-së me nofkën “Plaku”, ku thuhet se është nisur nga Kosova nga një burrë me disa të vrarë në familje gjatë luftës.

Në atë dokument jepet informacion se Goxhaj jo vetëm s’ka qenë ndonjëherë pjesë e luftës, por as e ka marrë në konsideratë një përfshirje të tillë, ndryshe nga i ati që ka qenë vullnetar në UÇK.

Dokumentin kryeministri e shoqëron me një qëndrim: “Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së. Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”.

Në një tjetër postim, replikën me një ndjekës të rrjeteve sociale, të identifikuar prej tij si një hoxhë, Rama i kërkon të mos ushqejë ndasinë fetare:

“Pyetja ime tani është, po ti o hoxhë, për llogari të kujt je futur në protestë? Se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen. Pra, shkurt llafi, të mos luash kukamçefti hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën”.

Aktiv me postimet e tij gjatë kësaj të marte, kryeministri përshëndetjen e mëngjesit në Facebook e ka shoqëruar me një editorial të gjatë, drejtuar një prej protestuesve që e ka pritur mëngjesin i vetëm në trotuarin poshtë zyrës së tij. Rama jo vetëm shkruan se e mirëkupton se mund të ketë me dhjetëra arsye të protestojë kundër tij, por i kërkon të mos e shohë si armik, pasi ndryshe nga ata që po e shfrytëzojnë për protestën dhe më pas e lënë vetëm në trotuar, njësoj si ai kërkon një Shqipëri më të drejtë.

“E vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë”.

Tv Klan

/tvklan.al