Shpifja nuk do të konsiderohet më si vepër penale për gazetarët. Kjo kërkesë e vazhdueshme e njerëzve të medias do të marrë përgjigje me ndryshimet në Kodin Penal, siç lajmëron kryeministri, që kujdeset të qartësojë se kjo është e vetmja kategori që nuk do të dënohet në rast se shpif.

“Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht. Edhe pse unë personalisht nuk besoj se këtu problem është liria e shprehjes, këtu problem është në fakt liria e shpifjes, ne do të bëjmë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, jo për politikanët dhe jo për të zgjedhurit. Kush zgjidhet nga populli duhet të dënohet në qoftë se shpif.“

Për këtë angazhim Rama foli në Konferencën Kombëtare për të Drejtën e Informimit, ku tha se ai personalisht mendon se duhet më shumë transparencë për vendimmarrjet, kërkesë që thotë se ua përsërit edhe anëtarëve të kabinetit të tij. Për ata që nuk ndajnë të njëjtin qëndrim dhe pengojnë marrjen e informacionit, siç u pohua edhe nga shoqatat e mediave të pranishme në tryezë, kërkon të ndërmerren sanksione.

“Ligji është shumë i qartë.10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Ditën e 11-të, në qoftë se nuk ka përgjigje, ka sanksion apo jo.“

Si një hap që ndihmon transparencën publike, Rama sheh edhe teknologjinë, përfshirë edhe dorëzimin e prokurimeve në dorën e inteligjencës artificiale.

“Dhe kërkesat që vijnë për informacion të jenë kërkesa që marrin përgjigje automatike.“

Me ironi, disa herë Rama iu referua mediave si kategoria që e shohin gotën bosh kur duhet të vlerësojnë nismat që ndihmojnë transparencën. Në replikë me një nga gazetarët e pranishëm, që i kujtoi se eleganca nuk ka qenë pika e tij më e fortë kur etiketonte mediat si kazan, kryeministri u mbrojt duke thënë se ajo shprehje i përket një kohe të shkuar ajo shprehje.

“Kazani është një term i vitit 2017, mos gabofsha, mirëpo ngaqë ka qenë termi i duhur, ju ka mbetur në mendje dhe ky ka qenë edhe qëllimi, që t’ju mbetet në mendje dhe të mos kemi nevojë t’ua përmendim më, e kupton?“

Tv Klan

/tvklan.al