Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, 7 mars, aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, tashmë i stabilizuar dhe me qarkullim normal për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, përmes një devijimi provizor në gjurmën e Koridorit VIII.

Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Përveç tij, edhe ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, drejtuesi politik i qarkut Elbasan Arbjan Mazniku dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim i madh, një perversitet i madh, sepse faktikisht, këtu jemi në aksin e vjetër. Aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin, nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojnë për të ardhur deri këtu. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik, prej mbingarkesës së shirave”, deklaroi Rama nga terreni.


Më pas, në tryezë, ai ritheksoi se rrëshqitja është një fenomen plotësisht natyror.

“Plaga prej 150 metrash ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike”, tha Rama në përgjigje të aludimeve mbi mënyrën si janë kryer punimet.

Teksa u shpreh i keqardhur për faktin se dëmet e kohëve të fundit kanë shqetësuar kryesisht banorët e zonës, paralajmëroi kalendar punimesh dhe afate të reja.

“Me ndihmën e Zotit, në një periudhë kohe kur s’do kemi mbi kurriz të gjithë shiun e këtij dimri që po del më në fund…”, tha Rama.

Ndërkohë, kreu i ARRSH-së (Autoriteti Rrugor Shqiptar) Ami Kozeli, sqaroi të gjithë punën e bërë për 10 ditë në këtë aks rrugor.

“Përmes sondave, zbuluam ca pellgje nënujore, u morën masa për disiplinimin e tyre. Edhe për ujërat sipërfaqësore, më pas arritëm të çlironim trafikun. Këto punime, na shkaktuan pezullim të punimeve për Korridorin e VIII në këtë segment”, tha ai.

Nga ana tjetër, Drejtori i Shërbimit Gjeologjik, Adrian Bylyku, argumentoi se historiku i rrëshqitjeve në këtë zonë është i dokumentuar, që në vitet ’60 apo ’70. Një tjetër faktor që sipas tij ka ndikuar është edhe erozioni.

Ministri Karakaçi bëri me dije se punimet në aksin Librazhd-Prrenjas të Korridorit VIII po ecin normalisht.

Ai sqaroi se 33 km rrugë e kontraktuar nga ARRSH është ndarë në 8 faza dhe punimet janë në progres, me vetëm një ndalesë për ndërtimin e një rruge sekondare 1.3 km, ndërsa shtresat asfaltike po vendosen gradualisht për të siguruar lëvizjen dhe zhvillimin ekonomik.

“Duhet të jesh maskara i madh t’u frysh veshët njerëzve me të tilla broçkulla. Por, maskarallëku i këtyre, disa paguhen me taksat e popullit, nuk janë përfaqësues të popullit, por janë përfaqësues të një të ikuri mendsh. Faktet janë këto, rrëshqitja atje ka ndodhur për të njëjtin fenomen që u shpjegua. Fenomene gjithnjë e më të pranishme në jetën e vendeve nuk mund të përdoren për të nxirë jetën e njerëzve që nuk hapin dot televizorin apo celularin për të marrë një haber, se marrin vetëm baltë”, shtoi më tej Rama referuar akuzave që janë hedhur nga opozitarët.

Numri një i kabinetit komentoi edhe protestat e fundit të Partisë Demokratike duke i cilësuar ato si “jashtëderdhje njerëzore për fotografi” dhe sulm ndaj imazhit të Shqipërisë.

Sipas tij, opozita përdor dhunën dhe zjarret për të krijuar përshtypjen e korrupsionit të përhapur, ndërkohë 85% e rasteve të korrupsionit të trajtuara i përkasin mandateve të kaluara dhe lufta kundër korrupsionit po vijon më shumë se kudo në rajon.

Përtej gjithë “tollovisë”, siç ai e quan shpesh, deklaroi se Korridori VIII, tashmë pjesë e rrjetit europian, ka fituar rëndësi strategjike dhe mundësi financimi nga BE.

Lidhja me portin e Durrësit, sipas kryeministrit, do të lehtësojë lëvizjen e mallrave me kosto më të ulët, ndërsa përfshirja e vendeve fqinje dhe një krah ushtarak do të rrisin vlerën dhe ndikimin ekonomik e social të korridorit.