Kryeministri Edi Rama e sheh integrimin gradual të Shqipërisë dhe vendeve kandidate në Bashkimin Europian si modelin më të pranueshëm të zgjerimit në union, pa pritur anëtarësimin e plotë. Nga Forumi i Cernobbios në Itali, Rama tha se Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Ukrainën mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët edhe pa marrë më parë të drejtën e vetos.

“Unë nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Kjo është arsyeja pse besoj se integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në BE dhe për ta nisur nga pjesa reale, tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Dhe, si europian, unë jam kundër nuk dua të keni veto, sepse imagjinijeni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne dhe mund të ndodhë në këtë mënyrë; në të kundërt, nuk do të ndodhë.”

Pavarësisht skepticizmit që ka për mënyrën sesi do të vijojë procesi I integrimit kreu I qeverisë thotë se 7 vendet kandidate duhet të ulen në tryezën e BE-së ndërsa përmbushin kriteret, duke fituar të drejtën e anëtarësimit për çdo kapitull që mbyllin.

“7 fëmijët e Ursulës duhet të përmbushin çdo kriter, duhet të ndjekin rregullat për çdo kapitull dhe duhet t’i bëjnë ballë të gjithë procesit neurotik të makinerisë prej 35 mijë grash e burrash, që është makineria më burokratike që ka krijuar njerëzimi. por ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit: jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik. Të 7 fëmijët, përfshirë Ukrainën, duhet të jenë në tryezë si fëmijët e Ursulës. Si fëmijë duhet të dëgjojnë babanë dhe nënën, Francën dhe Gjermaninë, pastaj tezen Itali dhe të tjerët. Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret. Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta. Çdokush që duhet të marrë më shumë nga tryeza, i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm.”

Jo pak Kritika adresoi ndaj BE-së për ritmin e ngadaltë dhe hezitimet në marrjen e vendimeve, duke e krahasuar situatën e kontinentit me Titanikun që po i afrohet ajsbergut.

“Ne jemi jashtë klubit në përpjekje për të hyrë. Kjo është si të dëgjosh një muzikë të mrekullueshme por Titaniku nuk po merr kthesën dhe para nesh është një ajsberg.”

Konkluzionin romak e solli si shembull koherent të modelit që unioni duhet të ndjekë ndaj vendeve kandifdate.

“Seanti asokohe vendosi tu jepte nënshtetësinë të gjithë atyre që jetonin në perimetrin e Perandorisë. Po sot me kë do ta bëjë luftën Europa me drone, se me ushtarë nuk është e mundur. Dhe sipas traditës tipike siciliane atë qe s’ta japin e merr, për sa kohë s’jemi ne Europe shijojmë po e shijojmë si sicialianët.”

Rama është I bindur që Evropa nuk mund ta arrijë autonominë e saj pa kthyer sytë nga resurset brenda kontinentit, duke sjellë si shembull edhe Shqipërinë.

“Europa s’mund të arrijë autonominë e vet brenda kuadrit kohor që ka parashikuar nëse Ballkani Perëndimor s’do përfshihet e nëse disa instrumente europiane s’do përdoren për të na futur brenda. Shqipëria ka një rezervë shumë të madhe bakri dhe ne po zprapsim investitorët kineze dhe nga vende të tjera, në pritje të investimeve potenciale në pritje që Europa të vijë, nisur edhe nga dashuria jonë e pakushtëzuar për të.”

Kur foli për integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor, një koment bëri edhe për qëndrimin e Serbisë për të përcjellë me funeral shtetëror Ratko Mlladiç.

“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë? Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani. “

Qëndrimi I Kryeministrit për integrimin gradual të vendeve kandidate vjen pak ditë pas propozimit të bërë nga Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos e cila prezantoi një model të ri që parashikon edhe kufizimin e vetos së shteteve anëtare, garanci më të forta për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe masa tranzitore për anëtarët e rinj.

Tv Klan

/tvklan.al