Pesë ditë pas hapjes së aplikimeve janë regjistruar 787 aplikantë të interesuar për të përfituar nga nisma e qeverisë e emërtuar “Paketa e Maleve”.

Kryeministri, i cili bëri publike këto të dhëna, thotë se aplikuesit vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë, nga veri në jug.

Rama u bën thirrje të gjithë emigrantëve në mënyrë të veçantë, por edhe të gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri dhe duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal apo në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, agroturizëm, hotel malor, fermë apo linjë agropërpunimi, të aplikojnë.

Pas situatës së krijuar në Theth, Rama kujdeset të specifikojë se kushti është të ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë.

Investitorët që do të zgjedhin të investojnë bazuar në këtë paketë do të përfitojnë lehtësi në aspektin procedural për njohjen e pronësisë mbi tokën e tyre, për të cilën nuk disponojnë dokumente. Ndërsa për 500 sipërmarrësit e parë parashikohet edhe një stimul fiskal për 10 vjet, përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH, dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme.

Për individët që posedojnë pasuri shtetërore pa titull pronësie, nisma u jep mundësinë për të blerë këto pasuri me një tarifë simbolike prej 1 euro, pas realizimit të investimeve të planifikuara.

Ligji, sipas maxhorancës, synon të promovojë zhvillimin ekonomik në zonat malore, duke inkurajuar investimet në bujqësi, turizëm dhe industri të tjera të qëndrueshme.

Tv Klan

/tvklan.al