Në një intervistë për median greke “Kathimerini”, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk i frikësohet regjimit iranian. Kreu i qeverisë nënvizoi se muxhahedinet në Manzë janë strehuar për arsye humanitare.

“Ne nuk kemi frikë prej tyre. Ne kemi pritur një grup iranianësh që kundërshtojnë regjimin. Në marrëveshjen tonë është deklaruar qartë se ata po strehohen për arsye humanitare, për të shpëtuar jetën e tyre dhe jo për ta përdorur Shqipërinë si platformë për të vepruar kundër regjimit. Nuk kam informacion për parajsën dhe ferrin, dhe nuk e di me siguri nëse ekzistojnë, por nëse ekzistojnë, shpresoj që ai (Khamenei) të kalbet në ferr”, tha Rama.

Rama foli edhe për leshimin e titujve të pronësisë në jug të vendit, një problematike, që thotë se nuk prek vetëm minoritetin grek.

“Ajo që po bëjmë tani është një proces konsolidimi dhe unifikimi të kadastrës. Po bëjmë përparim dhe kohët e fundit u kemi lëshuar shumë tituj pronësie njerëzve në jug, në Himarë. Pavarësisht nëse janë me origjinë greke apo shqiptare, njerëzit po marrin tituj pronësie për shtëpitë e tyre të vjetra, për të cilat më parë nuk kishin. Ky proces është i ndërlikuar, sepse përfshin unifikimin e hartave dhe nuk është aq i thjeshtë sa mund të duket. Ka ende dhjetëra mijëra shtëpi të vjetra në vend që janë në proces të lëshimit të titujve të pronësisë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë komentoi edhe batutën e bërë për prejardhjen e grekëve gjatë samitit në Abu Dhabi. Rama vlerësoi historinë e kulturën e vendit fqinj ndërsa një koment e kishte edhe për nacionalistët.

“Më vjen keq që komentet që kishin për qëllim të ishin “provokuese”, më shumë për hir të diskutimit dhe me pak humor, mund të shndërrohen në çështje serioze dhe të nxisin reagime joproporcionale. Kjo më habiti. Mendoj se duhet t’i trajtojmë komente të tilla me më shumë butësi. Megjithatë, tendencat nacionaliste ndonjëherë mund të shfaqen shpejt, shpesh duke reflektuar mungesë pjekurie dhe ndërgjegjësimi. Ne të gjithë duhet të përpiqemi të buzëqeshim më shumë dhe ta marrim veten, dhe të tjerët, pak më pak seriozisht”, tha Rama.

Jo vetëm për raportet me Greqinë, por Edi Rama ndau opinionin e tij edhe për fqinjin tjetër Italinë. Në një intervistë për “Il Giornale”, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin se marrëveshja me Romën për emigrantët nuk përsëritet me asnjë vend tjetër europian.

“Pas vendimit mbi ligjshmërinë kanë ardhur kërkesa edhe nga vende të tjera evropiane. Por dua të jem i qartë, ky është një koncesion ekskluziv për Italinë. Marrëveshja me Romën nuk mund të përsëritet”, theksoi Rama.

Rama foli për projektet me Italinë në infrastrukturë, energji dhe mbrojtje. Ndërsa u ndal edhe tek progresi i Shqipërisë në fushën e drejtësisë.

“Kemi përmirësuar dhe forcuar sistemin e drejtësisë përmes vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Ndarja e karrierave, të cilën e keni paraqitur në një referendum, është diçka që e kemi pasur prej kohësh, siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet evropiane. Ne kemi këshilla të ndara të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Atëherë, kur po hartonim reformën, thamë: nuk duhet të bëjmë gabimin e Italisë”, tha kryeministri.

Një koment e pati edhe për përplasjet në distancë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

“Problemi i demokracive sot është komunikimi publik i klasës politike që pasqyron diçka shumë të rëndë dhe shumë më të thellë që ndodh në komunikimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë perëndimore, ku rrjetet sociale kanë rrëzuar të gjitha muret e mirësjelljes dhe kanë krijuar një moçal plot infeksione. Për mua është një makth kur imagjinoj se si do të jetë brezi i ri i politikanëve dhe liderëve perëndimorë”, theksoi Rama.

Rama komentoi edhe konfliktin ne Lindjen e Mesme. Kreu i qeverisë tha se demokracitë perëndimore ndodhen në një moment delikat, por sipas tij, burimet e Europës dhe Amerikës janë ende të forta.

Klan News

/tvklan.al