Kryeministri Edi Rama ka dënuar me ashpërsi sulmet që, sipas tij, Irani ka ndërmarrë ndaj infrastrukturës civile të Azerbajxhanit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Shqipëria qëndron në krah të Azerbajxhanit dhe popullit të tij.

“Çdo përpjekje e regjimit të lig në Teheran për të terrorizuar popullsinë civile ose për të destabilizuar vende fqinje paqedashëse, me qëllim që t’i provokojë ato kundër përgjigjes plotësisht të justifikuar të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Khomeiniste, jo vetëm që duhet të dënohet me qartësinë më të madhe, por duhet të shërbejë edhe si një arsye tjetër për ta izoluar plotësisht atë regjim në çdo mënyrë të mundshme nga çdo pjesë e botës”.

Jo vetëm kaq, por kreu i qeverisë shqiptare thotë se ka ardhur koha që të gjitha vendet ta shpallin Iranin një shtet terrorist.

“Kur infrastruktura civile e vendeve të tjera vihet në shënjestër dhe kufijtë sovranë shkelen, vija ndarëse midis agresionit dhe terrorizmit zhduket. Pikërisht për këtë arsye ka ardhur koha që të gjitha shtetet dhe institucionet që besojnë në stabilitet, në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe në bashkëjetesën paqësore, jo thjesht të distancohen nga një regjim që në mënyrë të përsëritur eksporton dhunë dhe frikë përtej kufijve të tij, por të bien dakord për atë që ai në të vërtetë është: një Shtet Terrorist”.

Rama thekson se ata që zgjedhin rrugën e dhunës duhet të përballen me unitetin gjithnjë e më të madh të atyre që zgjedhin paqen.

Tv Klan

/tvklan.al