Pjesëmarrja e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova në protestën e së shtunës në Tiranë ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të qeverisë. Edi Rama i cilëson hordhi pushtuese mbi katër rrota që pretendojnë se janë pjesë e diasporës shqiptare në mërgim, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që, sipas tij, këto veprime kanë në imazhin e shqiptarëve.
“Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’ me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë: Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë ‘diasporë’ të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”
Rama akuzoi financuesit dhe mbështetësit e këtyre lëvizjeve politike, duke theksuar se efekti i tyre dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon. Ndërsa i siguroi se kontrata e kësaj qeverie mbaron në vitin 2029.
“Sponsorët e tyre i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029”.
Në deklaratë nuk munguan as referencat ndaj përdorimit të simboleve kombëtare dhe atyre të luftës së UÇK-së në protestë.
“Përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse”.
Në fund të reagimit, kryeministri kërkoi që deklarata të mos interpretohet si sulm ndaj kryeministrit të Kosovës, duke e ndarë atë nga individët që, sipas tij, janë përfshirë në protestë.
“Mos të spekulojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 