Mosekzekutimi i himnit shqiptar, veç atij të Maqedonisë së Veriut, në aktivitetin kulturor të organizuar të enjten në Pustec, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Mickovski, ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit Rama.
Rama e cilëson gjithsesi situatën parodi domethënëse për botëkuptimin e vendeve të rajonit e Ballkanit, që ai vetë i referohet si lagje e Europës.
“Kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund, sepse Shqipëria Europiane e ka kaluar tanimë adoleshencën e saj si shtet demokratik. Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale.”
Kush në Shqipëri kërkon reagim reciprok, Rama thotë prerë se nuk do të ndodhë.
“Mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.”
Kryeministri sjell në vëmendje faktin se, pavarësisht numrit shumë të vogël të banorëve në Pustec, u vendos që të qëndrojë bashki më vete, si tregues domethënës për respektimin e minoriteteve.
“Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne në Shqipëri.”
Edhe Rama dhe vetë kryetari i Bashkisë së Pustecit, i kandiduar nga socialistët, pohojnë se u është kërkuar organizatorëve që të luheshin të dy himnet, por kjo kërkesë nuk është dëgjuar.
“Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.”
Për incidentin reagoi dhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila, përmes një deklarate, shprehu keqardhjen për mosrespektimin e simboleve kombëtare, që janë, sipas saj, themeli i fqinjësive të mira mes shteteve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 