Në “Match-Maker Albania 2025”, eventi më i madh i vitit për biznesin, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nisi këtë të enjte në Tiranë, me mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama ftoi investitorët e huaj të kenë në konsideratë Shqipërinë pasi sipas tij është koha më e duhur për të bërë investime.

“Është koha për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri sepse nesër do të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të vijnë, të gjithë do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Kështu që çfarë doni që të blini, blijeni tani. Çfarë do të donit të bënit, bëjeni tani. Sa do të doni që të bëni në fitime, bëjeni tani sepse është një moment në kohë ku Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka”, tha Edi Rama.

Çdo cep i Shqipërisë është një mundësi e mirë investimi, por më së shumti duhen pasur në konsideratë malet, tha kryeministri.

“Ka diçka që vazhdon të jetë shumë e lirë në Shqipëri që është gjithçka që dikush mund të kërkojë në male. Por, për të gjithë ata që e njohin Shqipërinë përmes detit apo përmes qyteteve të saj dhe mendon që ka parë më të mirën, po ju them që më e mira është në male dhe çfarëdo që të bëj dikush sot në male është diçka që do ti shpërblehet në një mënyrë të shumëfishtë dhe me shifra të shumëfishta në një të ardhme jo të largët, por të afërt”, tha Rama.

Nevoja për investime të reja, tha kreu i qeverisë vjen nga fakti që rritja e turizmit ka qenë e madhe gjatë viteve të fundit, ndërsa shifrat e turistëve pritet të arrijnë deri në 14 milionë.

Klan News