Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorë të Finiqit, ka premtuar të shtunën ndërtimin e Aeroportit të Sarandës, çka do të krijonte lehtësi si në lidhjen e banorëve të zonës me jashtë, ashtu edhe në mbërritjen e turistëve të shumtë në jug të Shqipërisë.
“1 projekt që nuk është i bashkisë dhe për të cilin,pas 4 vitesh nuk duhet fajësuar bashkia, por unë, nëse nuk do të nisë, është projekti për ta shkurtuar rrugën e Athinës nga 7-8 orë në më pak se gjysmë ore, duke ndërtuar aeroportin këtu. Natyrisht, nuk është aeroport lokal i Finiqit, është aeroporti i jugut të Shqipërisë, aeroporti i famshëm i Sarandës që është premtuar që në ditën 1. Ka ardhur koha, dhe nëse e them sot këtu, nuk e them se është diçka që duhet bërë, por sepse ne kemi filluar punën për të kërkuar burimet dhe forcat që të fillojnë ndërtimin e aeroportit.”
Kreu i qeverisë tha se kishte nxjerrë mësime nga mospërfundimi me sukses i negociatave për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe refuzoi të jepte data, por u shpreh i sigurt se brenda 4 viteve do të fillojë puna në terren.
“Nuk dua të jap data dhe afate, se e mësova edhe unë që kur jep data dhe afate jepi për punët që i ke vetëm vetë në dorë, pra që i ka qeveria, kur është fjala për partnerë të tjerë, siç është fjala për Aeroportin e Vlorës, kishim të bënim me partnerë të tjerë, sado seriozë dhe pastaj negociatat në fund nuk dolën me suksese sepse ne donim një kontratë më të avantazhuar, dhe tani, sidoqoftë, do ta nisim procesin për Aeroportin e Vlorës. Atëherë nuk po jap data dhe afat, por po ju them se pa diskutim brenda mandatit të ri të Kristaqit, këtu aeroporti do të ketë nisur nga puna kantier real. Dëshira ime dhe puna që do të bëjmë është ta përfundojmë, por më mirë të jemi më të kujdesshëm me premtimin.”
“Besoj që ka ardhur koha që t’ia japim këtë gjë jugut, sepse turizmi po zhvillohet dhe kjo zonë ka nevojë për shumë më tepër fuqi mikpritjeje, por edhe për këtë pikë ulje dhe dalje që i mungon”, tha Rama.
Kryeministri pranoi se mazhoranca ka bërë edhe punë të kritikueshme, por nënvizoi se asgjë nuk është bërë me qëllime të errëta dhe përfitimi.
“Nuk mund të them se gjithçka që kemi mundësi e kemi bërë shumë mirë, as këtu as në të gjithë Shqipërinë. Nuk mund mohoj se kemi bërë gabime, nuk mund të mohoj që kemi bërë krahas shumë punëve të mira edhe punë të kritikueshme, por nuk kemi bërë as gabime dhe as punë të kritikueshme me qëllime të errëta dhe as që të përfitojmë në kurriz të njerëzve apo të vendit.” /tvklan.al












Botërori 2026 
