Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot, më 9 qershor, një konferencë për shtyp me gazetarët e mediave prestigjioze të Bashkimit Evropian, ku u ndal gjerësisht te protestat qytetare kundër një projekti në Zvërnec.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Rama e vlerësoi të drejtën për të protestuar si një arritje të madhe të kësaj dekade, duke sjellë në vëmendje ngjarjet tragjike të vitit 2011, kur katër protestues u vranë në bulevard.
“Ky është një vend i lirë, unë vetë kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e di mirë, e njoh mirë shijen kur do të protestosh. Në këtë bulevard, vetëm më pak se 20 vjet më parë, apo më saktë në vitin 2011, katër protestues u vranë me armë, që i kishin vënë në shënjestër pikërisht nga kjo ndërtesë. Për mua është një epokë ndryshe, është një moment ndryshe në histori. Është vërtet diçka shumë e mirë, që njerëzit mund të protestojnë pa asnjë lloj problemi. Është një tjetër arritje e kësaj dekade. Një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar për një kohë të gjatë.“
Ai sqaroi se reagimi qytetar u ndez fillimisht nga një akt i shëmtuar dhune i një roje sigurie ndaj një protestuesi, ngjarje për të cilën u morën masa të ashpra e të menjëhershme. Sipas kryeministrit, roja u arrestua, drejtuesi i Policisë së Vlorës u shkarkua, policia në terren u vendos në hetim dhe kompanisë private të sigurisë iu hoq licenca.
Megjithatë, kreu i qeverisë theksoi se ky episod dhune hapi rrugën për pikëpyetje më të mëdha, duke e shndërruar kauzën në një revoltë masive me thirrjet “anulo projektin”.
“Kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune, nga një roje sigurie ndaj një protestuesi, në kufirin e një toke për të cilën po flasim qysh prej një jave. Për këtë episod morëm masat më të ashpra dhe më të shpejta; roja u arrestua, drejtuesi i Policisë së Vlorës u shkarkua dhe policia, që ishte në terren, është vënë në hetim, ndërsa kompanisë së sigurisë i është hequr licenca.
Akti i dhunës ndezi ndjenjat dhe çeli rrugën për më shumë pikëpyetje për zhvillimin, pronën dhe projektin. Pastaj, befas, çështja u bë më e gjerë dhe tashmë prek gjithçka që është në rregull. Gjithçka ndryshoi sepse, befas, nuk ka projekt. Protesta u shndërrua në një protestë masive “anulo projektin”, por ndërkohë nuk ka projekt.
Nuk ka të bëjë me mua, me Shqipërinë, por ka të bëjë me shoqërinë demokratike për të reflektuar për gjysmë të vërteta që bëhen orë pas ore. Nuk qëndrojmë më te thelbi, por diku gjetkë”, tha Rama para gazetarëve të BE-së.“
“Ka interes, por jo projekt”/ Rama-gazetarëve të BE-së: Zvërneci dhe Sazani, dy gjëra të ndryshme
Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë zërat për shitjen e ishullit të Sazanit apo ndryshimin e ligjeve në shërbim të oligarkëve, duke sqaruar se në fakt bëhet fjalë për një marrëveshje në një pronë private dhe se aktualisht nuk ka ende një projekt zyrtar, por vetëm një shprehje interesi nga një kompani.
Ai theksoi se vendosja e rrethimeve në troje private është një e drejtë e çdo pronari në një vend demokratik dhe se institucionet shtetërore po ndjekin të gjitha protokollet europiane për këtë proces.
Në mbyllje, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të diskutojë hapur për mjedisin dhe planet e zhvillimit, duke ftuar palët t’i referohen vetëm fakteve të vërteta dhe jo aludimeve.
“Ka një proces, ka një kompani, por jo, nuk do të thotë se ka një projekt. Ka një proces që ka nisur me autoritetet. Ajo është një pronë private. Nëse nuk do t’i shihja dot të gjitha faktet, do të më neveritej vetja dhe qeveria ime, që po shisnim një ishull. Por a është e vërtetë? Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme, nuk është i njëjti.
Nëse është e vërtetë që kryeministri u shërben oligarkëve, kjo është e neveritshme, por a është e vërtetë?! Kompania është e krijuar, shprehja e interesit është e pranishme dhe marrëveshja është private, siç ndodh në çdo vend demokratik. Nuk njoh ndonjë vend ku qeveria dhe institucionet janë proaktive dhe u thonë kompanive që të mos investojnë. Është gardhi, i dashur, çdo privat në këtë vend ka të drejtë të vendosë gardh në pronën e tij.
Të luftosh kundër gardheve të pronave private, çfarë do të thotë kjo?! Kur ka një proces të tillë, kemi protokolle që vërtetojnë se ky vend funksionon si një vend europian. Unë e thashë atë të vërtetë ditën e parë, të dytën dhe më pas hoqa dorë, sepse kjo nuk kishte të bënte vetëm me mjedisin. Unë jam këtu për të folur për projektin, mjedisin, çfarë duam të bëjmë dhe çfarë kemi bërë deri tani. Gjithçka lidhur me këtë informacion që ne ndryshuam ligjin për të arritur deri këtu, kjo nuk është e vërtetë”, tha Rama.
“Shqipërisë i duhet turizëm luksoz, askush nuk më jep dot leksione për mjedisin”
Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë zërat për shitjen e ishullit të Sazanit, apo ndryshimin e ligjeve në shërbim të oligarkëve. Ai sqaroi se në fakt bëhet fjalë për një marrëveshje në një pronë private dhe se aktualisht nuk ka ende një projekt zyrtar, por vetëm një shprehje interesi nga një kompani.
Rama u shpreh se Shqipërisë i duhet turizëm luksoz ku mori edhe shembullin e Malit të Zi. Sipas tij, turizmi luksoz mbron atë që turizmi masiv i bën vendit.
“Kjo është një pyetje legjitime dhe hap absolutisht hapësirë për një diskutim shumë të rëndësishëm. Por ajo çfarë është e gabuar, është prezumimi që një vendi i duhet të zgjedhë midis natyrës dhe zhvillimit. Vendit i duhet të gjejë në mënyrë mjaft inteligjente mënyrën që natyra dhe zhvillimi të bashkëjetojnë dhe të mos shkojnë përkundër njëra-tjetrës. Sigurisht që gjëra mjaft të pakëndshme kanë ndodhur në rrugëtimin e zhvillimit në këtë vend, por ju duhet të kuptoni që shumë prej tyre janë objektiva të pamundura për t’u ndarë nga arsyeja pse kanë ndodhur”.
“Ajo doli si vendi më i izoluar. Për 50 vjet ishim të detyruar të ishim një vend ku nuk kishte asnjë pronë private. Pra, nuk kishte asnjë formë dhe në asnjë mënyrë. Nuk kishim tituj pronësie. Nuk kishte diçka të tillë si Kadastra. Ja pse ky lavjerrës i viteve ’80 shkoi në skajin tjetër. Pamë plantacione të tëra me limone të gërmuara nga të gjithë ne si skllevër, ngaqë nuk kishim mjaftueshëm tokë të punuar. Të gjitha këto plantacione u dogjën. Shpërbëmë hekurudhat, dogjëm shkollat dhe kopshtet. Ishte një det zemërate. Dhe nuk ishte një popull barabarësh, por një popull skllevërish”.
“Ju vini këtu në Tiranë dhe shihni qytet të gjelbër, por nuk kishte gjelbërim. Çdo hapësirë e gjelbër që ju shihni ishte e zënë. Kishim kohën kur mund të merrnim lejen për pushimet dhe rrinim në kabina si ushtarët. Ndërtimet e asaj kohe ishin të shëmtuara. Shumë pisha u prenë për të ndërtuar. Ishte gabimi i një momenti në histori ku nuk dinim të kërkonim më shumë”.
“Shihni Malin e Zi. Mali i Zi nuk ka bujqësi. Shumica e malazezëve atë që konsumojnë e marrin nga rajoni. Nuk kanë gjë tjetër përveç turizmit. Si ndodh që prej vitesh ata kanë paga më të larta në rajon? Sepse e sollën turizmin në turizëm të luksit. Ajo çfarë sjell një turist në një resort luksoz është më shumë për të ardhurat e vendit. Turizmi luksoz është ai që e mbron një vend nga ajo që mund t’i sjellë një turizëm masiv. Na duhet të kemi turizëm luksoz për të ulur trysninë që turizmi masiv ka”, u shpreh Kryeministri Rama.
Gjithashtu Rama u shpreh se qeveria e tij ka bërë shumë për mjedisin, teksa bëri dhe një krahasim se si ishte vendi më përpara dhe si është sot, sa i përket zonave të mbrojtura.
“Kur ne morëm qeverinë atje nuk kishte flamingo. Ne bëmë shumë prej jetës tonë të egër për shkak të gjuetisë së paligjshme. Shihni nga pamjet satelitore ku ishte vendi më përpara e ku është sot. Askush nuk mund të më japë mua apo neve leksione për mjedisin. Sepse ne krijuam të parët regjistrin për zonat e mbrojtura. Sot kemi rreth 25% të zonave të mbrojtura”, tha Rama.
Rama u përgjigjet akuzave: Ivanka dhe Jared erdhën në Shqipëri, fati i Trump nuk dihej
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave dhe opinioneve publike lidhur me projektin turistik në Zvërnec dhe përfshirjen e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, dhe vajzës së tij, Ivanka Trump.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të Bashkimit Europian, Rama hodhi poshtë pretendimet se ky projekt dëmton mjedisin, duke theksuar se zona e përzgjedhur nuk prek Parkun Kombëtar Vjosa-Nartë dhe se investimi do të jetë një model ku suksesi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës ecin paralelisht.
“Zona ku flasim ka qenë gjithmonë e kategorisë 5, nuk ka të bëjë me Vjosën e Nartën. Vjosa e Narta është prekur e nuk do të preket. Ky projekt do të jetë një tjetër provë që natyra e zhvillimi bashkëjetojnë. Një nga gjërat që është kusht për projektin, është për të pasur më shumë hapësirë gjelbërimi pas, se sa pas. Po sikur unë t’u thoja që po punojmë me arkitektët më të mirë, ka një ekip shumë të madh që po punon për këtë. Ky projekt do të jetë një tjetër provë që natyra dhe zhvillimi bashkëjetojnë.
Natyra nuk mund të jetë mallkim për zhvillimin e njerëzve. Ne jemi 100% me prodhim të energjisë së ripërtëritshme, nuk kemi energji fosile, nuk kemi gaz, kemi energji hidrike dhe diellore, deri në vitin 2028 Shqipëria do të jetë eksportuese e energjisë së pastër neto, nuk do të jemi më importues. Nuk besoj se flamingot në Shqipëri do të bënin një zhurmë kaq të madhe”, tha kryeministri.
I pyetur mbi ndikimet politike dhe etiketat si “mik i Sorosit apo i Kushnerit”, kreu i qeverisë sqaroi se kontaktet e para për këtë projekt kanë nisur në një kohë kur fati politik i Trump ishte ende i pasigurt, duke insistuar se vendimet e tij bëhen vetëm në interes të zhvillimit të Shqipërisë dhe jo për lojëra politike të brendshme të SHBA-ve.
“Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner, nuk dihej nëse Trump do të ishte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë, sepse mund të ishte edhe në burg, por kjo nuk më takonte mua. Shumë herë më kanë thënë mik i Sorosit, tani i Kushnerit, i amerikanëve, unë jam kryeministri i Shqipërisë dhe nuk dua që vendi im të jetë mish për politikën në Amerikë, apo në ndonjë vend tjetër.
Nuk jam zgjuar kurrë një ditë të jetës sime se si të bëjmë një gjë të shëmtuar, por kam luftuar gjithnjë për të bukurën. Shqipëria është një vend, ku një numër i madh i arkitektëve më të mëdhenj të botës po punojnë bashkë dhe më vete për projektin. Këtë projekt nuk e gjeni në asnjë vend të Europës, sepse ne duam më të bukurën. Perceptimi për këtë vend është ndërtuar në të padrejtën, krimi, korrupsioni dhe droga, janë pjesë e tij, si pjesë e çdo vendi, por të nxjerra më shumë.
Ju jeni gazetarë dhe duhet të merreni me fakte dhe jo me këtë oqean gënjeshtrash dhe gjysmë të vërtetash. Gjithë këtë po flisni në vendin, kohën e gabuar, vendin e gabuar dhe me personin e gabuar. Sepse keni ardhur pas 7 ditësh ku është shtrirë në baltë”, shtoi Rama.
“Unë e di se çfarë po vjen”, Rama: Do publikojmë projektin për Zvërnecin me shumë krenari
Rama shtoi se sapo të jetë gati do e publikojë projektin me shumë krenari.
“Sa të vijë projekti, do e publikojmë, me shumë krenari madje, sepse unë e di se çfarë po vjen. Qysh kur keni parë, apo kemi parë projekte që vijnë si grusht ndaj natyrës?! Nuk ndodh më!”, tha Rama.
“Irani po ndez zjarrin”, Rama: Janë dashakeq ndaj Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama tha se çdo gjë që bën qeveria shqiptare mbështetet tek standardet e Bashkimit Europian. “Ne çdo gjë që bëjmë, e bëjmë me standardet e BE-së. Nuk mund ta ndosim ne mjedisin, sepse çdo gjë e bëjmë standardeve të Bashkimit Europian. Kjo është një botë turizmi krejt e re dhe konkurrenca do të jetë duke mos e përfillur natyrën. Kjo është arsyeja se përse jam i zemëruar me ata që nuk e kuptojnë se është bekim për Shqipërinë, që të investohen 4 miliardë euro. Zhvillimi do të jetë bazuar në biodiversitetin e natyrës”, u shpreh Rama.
Shtoi se ka dezinformim të madh në publikun shqiptar, ndërsa kritikoi Iranin. “Ka aktorë që po përpiqen ta keqpërdorin protestën për qëllimet e tyre. Dhe njëherë, kemi vetëm një aktor dashakeq dhe ai është Irani. Këtë e dimë me fakte. Irani u hodh në sulm në këtë histori, menjëherë. Dhe ne jemi në luftë kibernetike me Iranin prej ditësh tashmë. Kemi ndërtuar një mur të sigurisë kibernetike në Europë. Ata duan ta ndezin këtë gjë. Por edhe konkurrentët patjetër që mund të shpërndajnë informacion të rremë”, u shpreh Rama.
“Pronat në Shqipëri mish-mash”, Rama: Do digjitalizojmë Kadastrën
Kryeministri Edi Rama foli edhe për çështjen e pronës në Shqipëri dhe veçanërisht në Zvërnec. Kreu i qeverisë u shpreh se pronat në Shqipëri kanë qenë një mish-mash gjatë demokracisë.
“Pronat në Shqipëri sidomos gjatë demokracisë, nga viti 1991 kanë qenë një mish-mash i vërtetë. Ne do e zgjidhim këtë problem. Do të ndërtojmë deri më 2028 Kadastrën digjitale”, tha Rama.
Duke folur për Sazanin, u shpreh se askush nuk ka kërkuar të blihet ishulli.
“Askush nuk ka thënë që do ta shesim ishullin. Marrëveshja ka të bëjë me sipërmarrje të përbashkët me investuesit dhe Republikës së Shqipërisë. Ishulli i përket dhe do i përkasë Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Më tej, një gazetare i kërkoi kryeministrit shqiptar që t’i japë një autograf. “Nëse doni dedikim, do ua shkruaj nga një vrasës flamingosh”, tha Rama. Dhe ashtu bëri. Kreu i qeverisë shkroi për gazetaren: “Për një lule irlandeze, nga një vrasës flamingosh”.
/tvklan.al












Botërori 2026 