Aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtesave të ngritura në mënyrë abuzive ka bërë që kryeministri Edi Rama të denoncojë një vendim të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili ka legjitimuar një pallat pa leje të konfiskuar nga shteti në qendër të Tiranës dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
“Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranës dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre.”
Vendimin e gjyqtarit, Rama e cilëson si një goditje ndaj shtetit ligjor dhe akuzon njerëzit e drejtësisë se po mbajnë në këmbë strukturat e vjetra që pengojnë drejtësinë dhe mbrojnë interesa në dëm të shtetit.
“Fatkeqësisht, as Gjeli as Balliu nuk janë të vetmit prokurorë e gjyqtarë që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh.”
Kreu i qeverisë ngre shqetësimin për mungesën e reagimit nga institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë.
“Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është: ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjyqtarësh të çdo niveli? Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogari te ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi.”
Kritika për gjyqtarin Hazbi Balliu pati edhe gjatë komunikimit që pati me qytetarët nëpërmjet faqes së tij në “Facebook”.
31 korriku ishte edhe afati i fundit që bizneset kishin për të liruar hapësirat, për këtë arsye kreu i qeverisë u kërkoi atyre që aktivitetin ta zhvillojnë brenda kuadrit që kanë leje nga autoritetet.
Kryeministri foli për rregullat e reja që duhet të zbatohen për ndërtimet në vendin tonë, ndërsa paralajmëroi edhe krijimin e një portali “Hapësira ime”, ku qytetarët do të bëjnë denoncime për ndërtues abuzues apo bizneset që zaptojnë hapësirat publike.
Të gjitha këto masa, kryeministri Rama thotë se i shërbejnë komunitetit dhe Shqipërisë për të qenë gati për anëtarësimin e plotë në BE në vitin 2030.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 