Kryeministri mendon se vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer zëvendëskryeministren në detyrë, ndërkohë që do të shqyrtojë në themele ankimimin e tij më 22 janar, eliminoi precedentin unik në botë të ndërhyrjes së gjykatës në kompetencat e ekzekutivit.

“Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata më e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.“

Por ky vendim i gjykatës së posaçme, që Rama e krahason me një gjyq partizan jashtë kornizave të ligjit, kërkon të mos anashkalohet pa një reflektim ndërinstitucional, që duhet të ndalet edhe te kërkesa e shoqatave të gjyqtarëve drejtuar Kushtetueses për rritjen e pagave.

“Jo thjesht e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë, në jo një rast, kurën më të dëmshme sesa sëmundja që luftojmë bashkërisht.

Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme, për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë herë, jo falë një prokurori e një gjyqtari të vetëm, po falë dy shoqatave të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre.

Po, po e dëgjuat mirë, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre.

Jo për herë të parë, fatkeqësisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar jo thjesht të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë, të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit. Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi”.“

Si vendimin për pezullimin e zëvendëskryeministres, ashtu edhe kërkesën në Kushtetuese për pagat, kryeministri i sheh si indicie shqetësuese që disa njerëz brenda sistemit të drejtësisë mendojnë se janë ata shteti, që gjithsesi, sipas Ramës, nuk përfaqësojnë gjithë sistemin.

“Këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.

Nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, por ku po ashtu nuk mundet kurrsesi të lejojmë që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit.“

Kryeministri në podcastin e tij ripërsëriti urimin për kreun e ri të SPAK-ut, duke e nisur nga vlerësimi i punës për drejtuesin në ikje të kësaj strukture.

“Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjetër, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhë të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.

Ndërkohë që kryeprokurorit të ri, Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh”, siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës – për të cilin sapo ka dalë edhe një direktivë e re e BE-së – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat, apo me lojëra mediatike të llojit “Big Brother”, me transkripte telefonash të nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore.“

Rama shprehet besimplotë se eksperienca e këtyre gjashtë viteve, arritjet që i quan të padiskutueshme, por edhe modestia e domosdoshme që kërkohet për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë gjatë mandatit të Brahos.

Tv Klan

/tvklan.al