Pas seancës së mbajtur sot në Kuvend për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për deputeten Belinda Balluku, 12 mars, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Në përgjigje edhe të reagimeve të bëra nga ana e ambasadave, ai argumenton se shumica nuk bëri asgjë ndryshe nga çfarë do të bënte çdo parlament demokratik i Europës.

Duke theksuar mbështetjen e pakontestueshme ndaj punës së SPAK, qëndrimit të ambasadës britanike apo asaj gjermane në vend, kreu i qeverisë thotë se heqja e lirisë së një deputeteje është një hap ekstrem, pasi Balluku nuk akuzohet për veprën penale të korrupsionit.

“Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.

Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:

• Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian

• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.

• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar e Komisionit Europian.

• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.

• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.

Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!“, thotë kreu i qeverisë përmes një postimi në “X”.


Kryeministri e bën të qartë se fokusi kryesor i Partisë Socialiste është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, pak më herët, Ambasada gjermane, përmes një postimi në faqen zyrtare, tha se “kusht i domosdoshëm për të bërë progres në procesin e anëtarësimit në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”.

Nga ana tjetër, ambasada britanike, theksoi rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore.

“Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit“, nënvizohej më tej.

Thuajse të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ambasada holandeze në Shqipëri.

 Me 82 vota kundër, Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes. Kështu, nuk u autorizua masa shtrënguese ndaj saj, “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi”. Moment, që u pasua me zhurmë e kaos në sallë. Jashtë Parlamentit, u mbajt protesta e opozitës, për rreth 1 orë e gjysmë.