Disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Partneritetit Strategjik Shqipëri-Shtetet e Bashkuara për Sigurinë Energjetike, kryeministri ka dhënë detaje për këtë investim amerikano-grek që parashikon që përmes TEC-it të Vlorës, Shqipëria të kthehet në një eksportuese të gazit të lëngshëm.
“Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik. Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme”.
Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por edhe për eksportin e gazit përmes TAP-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshjeje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin, ku ndodhet gazsjellësi Transadriatik.
Një tjetër marrëveshje e nënshkruar këtë javë ishte ajo me kompaninë italiane të ndërtimit të anijeve, Fincantieri, që do ta kthejë bazën ushtarake të Pashalimanit në një qendër të ndërtimit të anijeve ushtarake dhe tregtare për nevojat e brendshme, por edhe për eksport.
“Ky nuk është vetëm një investim i ri dhe shumë i konsiderueshëm, por është edhe një front i ri punësimi me rreth 400 vende të reja pune të mirëpaguara në fazën e parë. Një perspektivë konkrete për të rinjtë dhe të rejat, duke filluar nga nxënësit e shkollës profesionale industriale të Vlorës, të cilët do të ftohen të bëhen pjesë e programeve të trajnimit për t’u punësuar në kompaninë e përbashkët që lind nga kjo marrëveshje, Fincantieri Albania”.
Kryeministri lajmëroi edhe mbajtjen javën e ardhshme në Tiranë të Kongresit Botëror të Ligjit, që Rama e sheh si një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi dhe të fazës ku ndodhet sot ky transformim i afirmuar.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë një proces i lehtë. Ajo ka kërkuar vullnet politik të hekurt, vendimmarrje të vështira dhe gatishmëri të jashtëzakonshme për ndryshime të thella. Ky proces është bërë i mundur dhe sot garantohet nga shumica parlamentare e Partisë Socialiste. Prandaj fakti që Shqipëria bëhet mikpritëse e një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit është një motiv krenarie për të gjithë, por posaçërisht për qeverinë e kësaj shumice”.
Shënimet e javës, pjesë e podcastit Flasim, kryeministri i solli ndryshe këtë të diel, për shkak se prej disa ditësh ndodhet në Berlin ku ka çelur ekspozitën e tij personale, ndërkohë që nga Gjermania do të udhëtojë drejt Armenisë, ku të hënën do të zhvillohet takimi i radhës i Komunitetit Politik Europian, i cili majin e vitit të shkuar u mbajt në Tiranë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 