Në takimin e dytë me historinë siç i pëlqen ta cilësojë 11 Majin, Edi Rama është i bindur jo vetëm në fitoren e 10-të të Partisë Socialiste, por ambicien e tij që shkon përtej aritmetikës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, nuk ngurroi ta ndante edhe me vajzat e gratë dibrane.

 “74 i kemi dhe në Dibër kemi 2, 1 të marrim më shumë këtu dhe u bëmë 75. Pra, nuk është çështja e qeverisë.”

Sali Berishës që e akuzon se qëndron në pushtet me krimin e bandat, Rama i rrëfeu gurin e themelit të triumfit të radhës për socialistët.

“Ne fitojmë sepse kemi në mbështetje gurët e poshtëm, shumicën e grave dhe vajzave. Gjysma e burrave janë normal në këtë vend, gjysma janë çyrykë.”


Ndonëse flet për një fitore bindëse në 11 Maj, pa harruar nuk lë edhe porositë e fundit.

“Duhet me fol me gratë e demokratëve dhe pastaj gratë demokrate duhet të marrin peng burrat demokratë.Ju me motra, kunatat mund të jenë të rrezikshme. Krushka, me komshie, me komshie të kushrinave, 5-ën, 5-ën!!”

Edhe pse zakoni e do që në shtëpinë e mikut nuk flitet keq për të zotin e shtëpisë, Altin Dumanit i kujtoi se shpatën e drejtësisë për të ndëshkuar majtas e djathtas i’a dha ai dhe Partia Socialiste, ndryshe nga kundërshtari i tij që thotë se ka vetëm një qëllim.

“I ndershëm, i zoti, i papërzier përvecse me punën e vet, po e keni dëgjuar të thërriste ndonjëherë ndonjë person të njohur ta merrte në pyetje. Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani? Sepse ne bëmë atë që s’e ka bërë asnjë forcë që ka sunduar në këtë vend që nga 1912-a. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit.”

Sali Berishën e ironizoi edhe në daljen e tij të mëgjesit “Sy m’Sy.”

“Ore ia hoqën non-gratën këtij? Nuk është se ndryshon ndonjë gjë se bufi buf mbetet, por nuk është se ia kanë hequr më duket.”

Ndërsa në prezantimin e skemës së mbështetjes sociale në qytetin e Burrelit, Rama lajmëroi ndryshimin e skemës së bonusit për bebet.

“Nuk do të jetë një herë, por do jetë një mbështeje që do zgjasë për 2-3-5 vjet në varësi sa fëmijë ka”.

Në Peshkopi Rama inspektoi disa investime publike, si Bulevardin kryesor të qytetit dhe Urën e Cerenecit që lidh Rrugën e Abërit me Korridorin 8, ndërsa në Burrel sheshin Ahmet Zogu, lulishten Geraldinë dhe godinën e ish-Shtëpisë së Oficerëve në Mat.

Tv Klan