“Shqipëria i ka kryer detyrat. Ngërçi i radhës, bllokimi që Bullgaria po i bën Maqedonisë”

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me Ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth. Ai tha se vizita e Roth përkon me samitin e radhës të Këshillit Europian për vendimin lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për konferencën e parë ndërqeveritare.

Ai u shpreh se Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrimet e veta dhe duhet që BE-ja të miratojë kornizën negociuese dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare bazuar në vetë vendimin që Këshilli Europian ka marrë më parë.

Megjithatë, Rama ripërsëriti se këto vendime varen nga çështjet e brendshme në BE. Tashmë sipas Ramës negociatat mund të bllokohen nga një surprizë e radhës dhe kësaj here vjen nga bota ballkanike me Bullgarinë që po bllokon Maqedoninë e Veriut.  

“Vizita përkon me një kohë jo të parëndësishme në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimmarrje të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe RMV. Më vjen shumë mirë njëherë që sot nuk janë vetëm ata që e thonin dhe dje, por janë të gjithë edhe ata që dje edhe nëse e mendonin nuk e thoshin që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe miratimi i kornizës negociuese bazuar në vendimin e marrë për çeljen e negociatave nga vetë KiE dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është thjeshtë dhe vetëm çështje e brendshme e Këshillit Europian në një moment ku përtej faktit që duket se ka një prirje më pozitive se asnjëherë tjetër, së vendimi KiE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth që lidhet me ngërçin e krijuar mes RMV dhe Bullgarisë. Natyrisht që unë nuk mundet që veçse të përsërisja të njëjtën gjë që them me bindje dhe me fakte sipas nesh, prej kohësh që ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese dhe duke thirrur Konferencën e Parë. A do të ndodhë apo jo këtë nuk e di, ne nuk e dimë sepse kjo do të varet nga sa do arrihet të zgjidhet ngërçi mes Bullgarisë dhe RMV dhe sa gati është Bullgaria që të heqë barrikadën. Ajo që është e rëndësishme është që sot kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet”, tha Rama./tvklan.al