Vijon prej orës 11:30 në vilën qeveritare të Pogradecit, mbledhja e thirrur nga kryeministri me drejtuesit politikë të 12 qarqeve dhe kryetarët e nënkryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.

Diskutimet janë përqendruar tek dy dokumentet strategjike Besa dhe Prania Besnike, të prezantuara nga kryeministri në mbledhjen e fund korrikut të grupit parlamentar socialist.

Ata kanë pasur kohë një muaj për t’i lexuar këto dy dokumente dhe sot kanë shkëmbyer me kryeministrin reflektimet dhe opinionet e tyre.

Një nga kërkesat e Ramës ka qenë që të punohet më shumë për të rritur komunikimin dhe ndërveprimin mes të gjitha hallkave, nga partia tek deputetët dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë, në mënyrë që të ndryshojë cilësia e ofrimit të shërbimeve. Ndërkohë, diskutimet janë ndalur edhe tek përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pasdite, në Pogradec mbledhjes do t’u bashkohen edhe anëtarët e kabinetit qeveritar dhe është parashikuar një darkë në një nga restorantet e zonës së Tushemishtit.

Ndërkohë, të hënën do të jenë këta të fundit që do të zhvillojnë mbledhje me kryeministrin dhe do të diskutojnë jo vetëm për dy dokumentet strategjike, por edhe për sezonin e ri politik që nis në shtator. Pjesë e raportimeve do të jenë edhe ato që lidhen me prezencën e ministrave dhe deputetëve në media tradicionale dhe ato sociale.

Tv Klan

/tvklan.al