Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte, 3 mars, kryebashkiakët socialistë. Në fokus ishte zbatimi i paketës së maleve, puna për sezonin turistik dhe menaxhimi i mbetjeve.

“Një tjetër element i rëndësishëm i gjithë punës së kësaj periudhe është paketa e maleve. Disa bashki jo vetëm që kanë bërë progres, por tashmë kanë plotësuar edhe objektivin bazë të 10 projekteve për t’u nënshkruar dhe për të kaluar në procesin e marrjes së lejes. Në njërën nga bashkitë janë 5 milionë euro të llogaritura, nga 10 investimet e para në paketën e maleve. Jemi duke punuar edhe për të riparë sistemin e mbledhjes së mbeturinave, për sa i përket aspektit të përpunimit të mbetjeve. Flas për mbeturinat që përgjithësisht janë një problem sidomos në sezonin turistik, në hapësirat e bashkive që nuk janë zona urbane. Është e domosdoshme që të ngrihet një task forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor”.

Kryeministri kërkoi që bashkitë të hapin zyra juridike për të ndihmuar qytetarët me problemet me Kadastrën.

“Ka shumë ankesa për Kadastrën, por nga e gjithë analiza e bërë, një pjesë e madhe e ankesave për mos marrjen e shërbimit vijnë si rezultat i mos kryerjes së aplikimit në mënyrë korrekte ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike, enkas për shërbimin e Kadastrës dhe legalizimeve”.

Tv Klan

/tvklan.al