Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në turin e fundjavës ka udhëtuar drejt Lushnjës ku është takuar me gratë socialiste të këtij qyteti.
Edhe në fjalën e tij në Lushnjë kreu i selisë rozë ripërsëriti akuzat për qeverinë në lidhje me buxhetin, reformat në arsim dhe për investimet në infrastrukturë, ndërsa cilësoi luftën kundër korrupsionit inefikase.
Edi Rama: “Ne kemi një qeveri, e cila na thotë se në vitin 2006 rritja ekonomike do të jetë vetëm 5%. Ndërkohë që e kishte premtuar 8% dhe nga 5 tek 8 janë as më shumë e as më pak përreth 300 milion dollarë. Po e shikojmë që lufta kundër korrupsionit është vetëm një propagandë që në Shqipëri niveli i qeverisjes ka rënë në nivelin e barcaletave të Nastradinit kjo dihet.”
Për sa i përket rolit të gruas në Partinë Socialiste Rama përsëriti vlerat dhe forcën e saj të pakundërshtueshme në parti dhe i ftoi gratë të marrin pjesë në forumet drejtuese.
Rama tha gjithashtu se Partia Socialiste meritonte të dilte në opozitë ku një ndër arsyet ishte mungesa e të rinjve dhe grave në drejtimin e saj./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj