Kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, u ndal edhe te situata në Vlorë, ku u shkarkuan të gjithë drejtorët. “Vetëkënaqësi labe”, e konsideroi ai sjelljen e drejtorëve të qytetit bregdetar, ndërsa kërkoi që situata mos të lidhet me ish-kreun e kësaj bashkie, Ermal Dredha, i cili dha dorëheqjen nga detyra. Kreu i qeverisë tha se ai ishte më i miri në atë situata dhe dorëheqja e tij tregon se e do qytetin.

“Po ndaj me ju një përkufizim të shkurtër të asaj situate. Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit, dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës nga një aradhe njerëzish pa fe, pa atdhe, njerëz pa din e iman, me mandatin e drejtorit. Të tërë hipur mbi shpatullat e qeverisë në kuptimin që hipur si pasagjerët e autobusit të Kuçit. Dua të bëj të qartë që e gjithë kjo situatë do ishte gabim i madh sikur të lidhej me kryetarin e bashkisë, i cili në gjithë atë situatë është më i miri. Nëse lidhet me të, atëherë bëhet gabimi tjetër që ia lemë vetëm Vlorës. Nuk është vetëm Vlora. Dorëheqja e Ermalit sot pas bisedave që kemi bërë bashkarisht është tregues pikërisht i asaj që thashë, i një njeriu që e ndjen, e do Vlorën dhe që i vetmi problem që ka është që duke ndenjur për një kohë shumë të gjatë larg Vlorës, larg Shqipërisë si diplomat u zbut më shumë seç duhet për të përballuar aradhenë. Uroj shumë që skuadra e re e deputetëve të Vlorës mos të harrojë që të përfaqësosh Vlorën është privilegj shumë i veçantë”, tha Rama.

Kujtojmë se Ermal Dredha dha dorëheqjen një ditë më parë, 10 shtator. Ai tha se ajo erdhi si një akt reflektimi dhe përgjegjësie.

Dredha e mori këtë detyrë më 3 korrik të vitit 2023.

Kujtojmë se më herët, Dredha ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa ka shërbyer edhe si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali.