Kryeministri Edi Rama, përmes një videomesazhi sot në 19 shtator, deklaroi se për Shqipërinë përmbyllja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi deri në vitin 2030 janë objektiva që lidhen drejtpërdrejt me procesin e transformimit të vendit dhe përmbushjen e Agjendës 2030.

Rama tha se Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë me tregues pozitivë për Shqipërinë, lidhur ngushtë me rrugëtimin europian të vendit. Sipas tij, përmbyllja e negociatave të anëtarësimit, anëtarësimi në BE dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë procese të ndara, por pjesë e një rruge të vetme transformimi.

Në videomesazhin e tij, kryeministri renditi një sërë treguesish që, sipas tij, dëshmojnë progresin e Shqipërisë. Ai deklaroi se niveli i varfërisë ka rënë nga 23.7 për qind në 19 për qind, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar.

Një tjetër zhvillim i theksuar nga Rama ishte digjitalizimi i shërbimeve publike. Sipas tij, më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike në Shqipëri tashmë ofrohen online. Në fushën e energjisë, kryeministri deklaroi se pothuajse e gjithë energjia elektrike e vendit prodhohet nga burime të rinovueshme.

Rama u ndal edhe te përfaqësimi i grave në institucionet politike, duke deklaruar se gratë zënë 35 për qind të vendeve në Kuvend dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Ai përmendi gjithashtu nivelin e borxhit publik, duke theksuar se ai ndodhet shumë më poshtë nivelit prej 60 për qind.

Sipas kryeministrit, këta tregues përbëjnë më shumë se statistika dhe tregojnë se ndryshimi është i mundur. Rama bëri të ditur se Shqipëria renditet në vendin e 44-ërt globalisht në Indeksin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2026, duke u shprehur se vendi po performon më mirë se vendet e rajonit.

Videomesazhi i Kryeministrit Rama:

“Përshëndetje nga Shqipëria për të gjithë ata që po i bashkohen këtij Momenti të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga e gjithë bota.

Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian.

Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë tri rrugë të ndryshme.

Ato janë një rrugë e vetme transformimi.

Që nga Rishikimi ynë Kombëtar Vullnetar në vitin 2018, varfëria ka rënë nga 23.7 në 19 për qind, vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar, më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike tashmë ofrohen online, pothuajse e gjithë energjia jonë elektrike vjen nga burime të rinovueshme, gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në parlament dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Borxhi publik është shumë më poshtë se 60 për qind.

Këto nuk janë thjesht statistika.

Ato janë dëshmi se ndryshimi është i mundur.

Dhe Shqipëria tani renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026, duke qenë ndër vendet me performancën më të mirë në rajonin tonë.

Por angazhimet nuk i ndryshojnë jetët; zbatimi po.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, duke bashkuar ekipin e Kombeve të Bashkuara rreth katër prioriteteve si mbrojtjen e fëmijëve, përgatitjen e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimin e komuniteteve lokale dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithashtu, kemi nënshkruar kuadrin tonë të ri të bashkëpunimit për periudhën 2027–2031 dhe nuk do të lëmë askënd pas, as fëmijët tanë, as komunitetet tona rurale dhe as më të cenueshmit.

Së bashku me Kombet e Bashkuara, partnerët tanë europianë dhe qytetarët tanë, do të vazhdojmë të ecim përpara.

Ju faleminderit shumë”.

/tvklan.al