Në prezantimin e kandidatëve për deputetë të Gjirokastrës, bazuar tek një thënie e ish liderit kinez Ten Ciao Pin, Kryeministri Rama tha se shqiptarët të cilët do të votojnë më 11 Maj, nuk duhet të shohin se çfarë ngjyre ka macja, por që macja të kapë minjtë.

“Sot të gjithë shqiptarët që votojnë me 11 Maj nuk duhet të shohin fare çfarë ngjyre kemi ne. Duhet të ndjekin atë porosinë e Ten Ciao Pinit që ndryshoi Kinën kur tha: Mua s’më intereson fare çfarë ngjyre ka macja, mua më interesonh që macja të kapi minjtë dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje jemi aq të zotë sa kapim dhe minjtë tanë, jo vetëm minjtë e komshiut. Dhe këtë ne, këta, na e këndojnë si një gjë për të cilën ne duhet të ulim kokën. Në fakt ne duhet ta mbajmë kokën më lart seç e kemi mbajtur zakonisht dhe për këtë arsye”, tha Edi Rama.   

Rama e konsideroi programin e PD-së muhabet bretkosash.

“Sot, kjo është e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje, Partia Socialiste. Pasi të hyjmë në Bashkimin Europian, pastaj ka kohë, do jetë tharë dhe këneta dhe me ndihmën e Zotit, do lulëzojë ndonjë gjë dhe në krahët e tjerë se deri tani është ferra edhe britma zogjsh të kënetës. Dje pashë një bretkosë të vogël që thoshte: Ja se do ndryshojë tavolina juaj me 12 Maj nuk e di a e keni parë, programi ishte një tavolinë që pastaj mbushej plot me ushqim. Muhabet bretkosash”, tha kreu i qeverisë.  

U kujtoi të mbledhin sa më shumë vota për PS-në.

“Zgjedhja për çdo deputet është e lirë por ama kalon nga vendosja e shenjës te numri pesë, pastaj poshtë, kushdo zgjedh dhe një deputet ose një deputete sipas dëshirës”, tha Rama.    

Rama inspektoi edhe punimet në Sarandë e më pas në kantierin e Bypass-it të Ksamilit.

Klan News