Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Bruksel.

Përmes një postimi, Rama e ka cilësuar takimin si të veçantë, duke vënë në dukje vlerësimin e Rutte për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe angazhimin e vendit në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kreu i qeverisë ka shprehur gjithashtu kënaqësinë për fjalët inkurajuese të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të cilin e ka cilësuar si një njohës të Europës, vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe dashamirës të Shqipërisë.

“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku mori pjesë në “EuroNews Enlargement Summit”.

Rama dhe Rutte kanë pasur takime të shpeshta me njëri-tjetrin. Në shtator të vitit të kaluar (2025), Rama u takua me sekretarin e NATO-s, kun ë qendër të diskutimeve ishte mbrojtja ushtarake dhe siguria.

Herën e fundit ata janë takuar në qershor, në vigjilje të Samitit të NATO-s në Hagë, ku diskutuan për angazhimin e NATO-s për të mbështetur terminalin ushtarak në Portin e ri të Durrësit në Porto Romano.

Rama dhe Rutte janë takuar edhe në ambientet e Kryeministrisë në Shqipëri, në maj 2025, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Ata kanë diskutuar vazhdimisht lidhur mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin e vendit në NATO.

Ish-kryeministri holandez dhe kreu i qeverisë shqiptare njihen për miqësinë e tyre dhe humorin që i karakterizon në çdo takim.

Për Ramën, Rutte është jo vetëm një mik i veçantë, por edhe mbështetës i paepur i vendit tonë.