Kryeministri Edi Rama është nderuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, me “Medaljen Zayed”.
Ky dekorim mban emrin e themeluesit të shtetit dhe konsiderohet si medalja më e lartë që akordon kreu i këtij vendi për udhëheqësit e huaj.
Përmes një mesazhi, Rama u shpreh se ndihet i prekur nga ky vlerësim, të cilin e cilësoi si një respekt të madh për Shqipërinë.
“Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan. Akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar. E mora përulësisht, plot me krenari për Shqipërinë dhe me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve”, deklaroi kryeministri.
Këtë titull prestigjioz e kanë marrë më herët liderë të fuqishëm botërorë, duke dëshmuar rëndësinë diplomatike të këtij dekorimi.
Mes personaliteteve që mbajnë këtë medalje janë Mbretëresha Elizabeth II, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe ai i Rusisë Vladimir Putin. Gjithashtu, me këtë medalje janë nderuar edhe kryeministri i Indisë Narendra Modi, Mbreti i Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe ish-presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.
Rama fluturoi një ditë më parë drejt Abu Dhabit me ftesë të presidenti të Emirateve për të marrë pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.
Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ky samit që organizohet nën kujdesin e veçantë të Presidentit Al Nahyan është një forum ndërkombëtar që bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
Të njëjtin titull e kanë marrë më herët liderët më të mëdhenj të botës. Duke filluar nga mbretëresha Elizabeta e Dytë, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, Abdel Fattah el-Sisi, presidenti i Egjiptit, Salman bin Abdulaziz Al Saud, mbreti i Arabisë Saudite, presidenti i Francës, Emanuel Makron, ish-presidenti i Italisë, Xhorxhio Napolitano. I fundit që ka marrë dekoratën më të lartë civile të Emirateve të Bashkuara Arabe për krerët e shteteve është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të cilit iu akordua.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 