Sektori i ndërtimit për kryeministrin Edi Rama ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe transformimin e vendit.
Gjatë një takimi me sipërmarrës, kreu i qeverisë i cilësoi të papranueshme akuzat që e lidhin këtë sektor me krimin, e që sipas tij, nuk bëjnë gjë tjetër veçse baltosin imazhin e Shqipërisë.
“Sektori i ndërtimit sjell shumë të mira, por nga ana tjetër si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë që lëndon një numër të madh protagonistësh. Por që këtë sukses, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sa dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.”
Duke sjellë si shembull projektin e prezantuar të enjten nga Pajtoni Residencë, kryeministri foli me shifra për të ardhurat që ky sektor ka sjellë në buxhetin e shtetit.
“14 milionë euro taksë vetëm nga ky projekt. Ndërkohë që në këtë projekt, kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhen, kopshtin, por edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit është që të ndërtojë edhe shkollën nëse i jepet trualli. 14 milionë euro janë pjesa që shkon ai 3% për strehimin.”
Sipas kreut të qeverisë, sektori i ndërtimit ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit.
“Integrimi nuk është thjesht që ne do bëhemi pjesë e integrimit europian dhe s’do ketë njeri më këtu. Këto ndërtime janë një provë e ambicies që ka Shqipëria dhe e fuqisë që ajo ka për ambiciet e veta dhe këto nuk janë skena krimi.”
Nuk i kurseu ironitë për opozitën dhe akuzat e saj për korrupsionin.
“Nëse rriten të ardhurat, nuk rriten nga shiu, por nga taksat. Dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion. Të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë leje, le ta konfirmojnë. Lufta me ne është tek cilësia. Këtu ka më shumë ekonomi dhe më pak korrupsion.”
Sipas qeverisë, sektori i ndërtimit, së bashku me atë të pasurive të paluajtshme, ka njohur një rritje të qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, duke kontribuar me rreth 17% në ekonominë shqiptare.
/tvklan.al












Botërori 2026 