Të gjitha akuzat që vijnë nga brenda dhe jashtë vendit se sektori i ndërtimit është një lavatriçe e pastrimit të parave, sipas kryeministrit, bëhen vetëm për të përbaltur Shqipërinë. Në një takim me ndërtuesit, të zhvilluar në qendrën tregtare Pajton, kreu i qeverisë foli me tone shumë të ashpra për të gjitha sulmet e programuara, sipas tij, për një sektor jetik që ka ndihmuar Shqipërinë të rrisë prodhimin e brendshëm bruto.

Duke iu referuar një projekti më të ri ambicioz, Pajtoni Residence, që u prezantua në takimin e sotëm, kryeministri tha disa fakte që sipas tij janë dëshmi se sektori i ndërtimit, pavarësisht problematikave, nuk është një sektor ku investon krimi i organizuar, por që rrit të ardhurat e buxhetit të shtetit.

“Vetëm nga projekti Pajtoni, ende pa nisur puna, bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksa, të cilat janë shumë të konsiderueshme. Ndërkohë që kur të bëhet ky projekt, komuniteti do të fitojë çerdhen, kopshtin dhe bashkia e Tiranës mund të fitojë edhe një shkollë. Në 14 milionë euro shkon edhe 3 përqind për strehim“, tha Rama.

Vetëm në Pajtoni Residence, sipas kryeministrit, afro 350 apartamente janë pronotuar nga shqiptarët e diasporës, ndërsa një numër i madh të huajsh janë të interesuar të investojnë në pasuri të paluajtshme.

Disa herë, kryeministri iu referua opozitës shqiptare, që ndryshe nga çdo opozitë e rajonit, thotë ai, përbalt Shqipërinë në Bruksel sepse mendon se kështu mund të vijë në pushtet.

Në bashkëbisedim me ndërtuesit, u bënë të ditura edhe disa nisma që qeveria ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë kreditimit të këtij sektori.

Me sloganin “Epiqendra e re e Tiranës”, Pajtoni Residence, që mori vlerësime edhe nga të pranishmit arkitektë e ndërtues, ky investim me sipërfaqe ndërtimi 220,000 m² do të ngrihet pas qendrës tregtare me të njëjtin emër.

Janë 12 objekte multifunksionale që ofrojnë ambiente banimi, biznesi dhe rekreacioni, të cilat janë projektuar nga RCR Arquitectes (fitues të çmimit Pritzker).

Kjo qendër rezidenciale u vlerësua nga kryeministri si kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin urban të Tiranës.

Tv Klan

/tvklan.al