Paketа e maleve, e miratuar në mars të këtij viti, do t’i nënshtrohet disa amendimeve. Kryeministri që lajmëroi ndryshimet ligjore, një kërkesë e ardhur nga vetë qytetarët e interesuar, pranon se do të synohet të hiqet çdo burokraci që ka ligji.

“Kam pasur ankesa nga disa deputetë dhe do ndërhyhet për të hequr çdo burokraci, edhe pse ligji në vetvete është bërë për të lehtësuar sa më shumë procedurat,” tha Rama.

Por ndërkohë ai mblodhi të gjithë kryebashkiakët, pasi nuk kanë treguar seriozitet për atë pjesë të përgjegjësisë ligjore që është përpilimi i hartave me zonat malore për të cilat ka interes për të investuar, por nuk janë të regjistruara në emër të pronarëve legjitimë.

“Është e papranueshme, duhet t’i sillni brenda 31 tetorit.”

Vetëm 10 për qind e bashkive i kanë dorëzuar listat e kërkuara dhe për këtë arsye Rama u mor personalisht pothuajse me secilin prej tyre.

“Ti i Devollit, se e mbylle dhe atë procesin e karburanteve… ti Beneti, se ishe iniciatori… po ti i Kuçovës?”

Për kryebashkiakët demokratë tha se kishin justifikim.

“Normal, jeni marrë me masakrën zgjedhore… kur flini gjumë jeni njësoj si të majtë si të djathtë.”

Aktualisht janë 4000 aplikime si shprehje interesi për të përfituar nga paketa e maleve.

“Ka shumë interes, ndaj duhet ndihmuar njerëzit… nuk po them t’i turreni gjithë tokave të shtetit nëpër male, por ato që janë trashëgimi e gjyshërve.”

Kryeministri gjithsesi e theksoi se do të ketë një kontroll të detajuar për dokumentacionin, pasi foli për një rast abuzimi që ishte evidentuar nga policia shkencore dhe që do t’i përcillet organeve të drejtësisë.

“Kapëm njërin me një sipërfaqe shumë të madhe dhe sigurisht që do e çojmë për ndëshkim.”

E në këtë pikë u rimor me gjyqtarët që “flenë” mbi dosje, duke lënë në fuqi urdhër-sekuestrot që favorizojnë abuzuesit.

“Pashë këtu, duke ardhur, ca masa të 2019–2020… e ç’bëjnë? Vazhdojnë i lënë aty.”

500 aplikuesit e parë në platformën e ngritur nga qeveria do të mund të përfitojnë nga paketa e maleve për 10 vite përjashtim nga taksat.

Tv Klan

/tvklan.al