Gati një vit nga zgjedhjet e ardhshme vendore, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vendosur të ndryshojë disa nga drejtuesit politikë në qarqe. Në kryeqytet, ku kryesocialisti ka kërkuar vëmendje maksimale pasi nuk është i kënaqur nga rezultati i vitit 2025, Ogerta Manastirliu, që do të vazhdojë të drejtojë territorin e bashkisë, do t’i bashkëngjitet Taulant Ballës si drejtues politik i qarkut Tiranës, duke mbuluar bashkitë e tjera që më parë patronazhoheshin nga Elisa Spiropali. Kjo e fundit do të jetë e deleguar në një nga njësitë administrative të Tiranës. Ndërsa Balla, për momentin, do të drejtojë edhe diasporën, ku socialistët po përgatiten për të ngritur struktura të përhershme jo vetëm në Itali dhe Greqi, por edhe në Britani, SHBA dhe Gjermani.

Një tjetër lëvizje e rëndësishme ishte ajo për qarkun e Durrësit, ku rikthehet si drejtues politik Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve, Blendi Klosi, në vend të kryebashkiakes Emirjana Sako. Vendin e Klosit në Dibër do ta zërë Ulsi Manja, që rikthehet në qarkun ku u zgjodh deputet për herë të parë, ndërsa ia lë drejtimin e Lezhës ministrit të ri të Mbrojtjes, Ermal Nufi. Një tjetër ministër i sapoardhur në kabinetin Rama, Enea Karakaçi, do të marrë drejtimin e qarkut të Shkodrës, vendlindjes së tij, duke zëvendësuar Benet Beci. Kukësi, që deri sot drejtohej nga Eduard Shalsi, do të ketë drejtues politik deputetin e Tiranës, Erjon Malaj.

Ndërkohë, të gjithë drejtuesit e tjerë politikë mbeten të pandryshueshëm, duke udhëhequr skuadrat e tyre deri në zgjedhjet lokale të vitit 2027: Belinda Balluku në Fier, Niko Peleshi në Korçë, Bledi Çuçi në Vlorë, Arbian Mazniku në Elbasan, Mirela Kumbaro në Gjirokastër dhe Ervin Demo në Berat.

Lëvizje të tjera ishin edhe ato të të deleguarve në njësitë administrative të Tiranës, ku ka një përqendrim të lartë të deputetëve dhe ministrave.

Tv Klan

/tvklan.al