Kreu i qeverisë, Edi Rama, ndodhej këtë të premte, 15 maj, në Estoni, në panelin hapës të Konferencës Lennart Meri, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Evropës.

Fillimisht, fjalën e tij e nisi me humor, ku u shpreh se solli diellin në Estoni, diçka që shkaktoi të qeshura mes të pranishmëve në panel.

“Zbulova se ushqimi këtu është i shkëlqyer, çka nuk e prisja dhe nga ana tjetër u sigurova që t’ju sillja diell këtu. Shoh që tani që do largohem është sërish errësirë, por ndjesë nuk rri dot më gjatë këtu”, tha ai.

I pyetur se çfarë ndjen Shqipëria për “NATO 3.0”, Rama u shpreh se shqiptarët janë “talebanë perëndimorë”, por nuk munguan “kritikat” e tij ndaj kontinentit.

“Ne jemi talebanë perëndimorë. Çfarë do të thotë kjo? Ne jemi me aleancën transatlantike deri në fund, çfarëdo të jetë. Meqë ra fjala, këtu dua ta nis. Dje pata nderin të merrja pjesë në një ceremoni shumë të bukur në Gjermani, ku u nderua Mario Draghi. Ai mbajti një fjalë që më bëri të mendoja se kishin kaluar 2 vite që nga raporti i tij për Evropën dhe ndërkohë fjala pak a shumë thellohej në të njëjtën gjë, ajo që ka ndodhur kur bëhet fjalë për të vepruar nuk është shumë. Kjo është baza e shqetësimit kryesor. Nuk dua të provokoj askënd këtu. Por jam shumë i tunduar të heq jo një paralele, por të bëj pikënisje ish-Bashkimin Sovjetik kur vjen fjala se gjërat kuptohen, por nuk trajtohen. Kjo është tunduese jo se Evropa mund të bëhet Bashkimi Sovjetik, por se ka një pyetje themelore që kërkon përgjigje. A mundet Evropa të lejojë imperativat e mbrojtjes dhe përgjigjet e fragmentarizuara për të krijuar një mungesë ekuilibri midis ambicieve të sigurisë dhe asaj që unë e quaj qëndresa e civilizimit? Me fjalë të tjera do të thotë se po përballemi me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike, inferioriteti strategjik të shkaktojë mbi-reagim dhe ajo që është më dramatike, duke folur për NATO 3.0, është që fragmentarizimi burokratik dobëson reagimin, çka na çon në një tjetër pikë, që është se legjitimiteti politik minohet nga kërkimi për fuqi ushtarake. Të gjitha këto më shqetësojnë për atë se ku po shkon Evropa”, u shpreh ai.

Më tej, Rama u shpreh se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndihmoi Evropën të shohë veten me të gjitha dobësitë e saj, ndërsa Vladimir Putin, e zgjoi atë për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE.

“Unë besoj më shumë miqtë amerikanë kur thonë: merreni presidentin Trump seriozisht, por jo fjalë për fjalë. Pjesa serioze është që presidenti Trump ka bërë që Evropa ta shohë veten me të gjitha dobësitë e saj, duke dalë si kryeministër i Shqipërisë, një vend që kërkon të hyjë në BE dhe tashmë një veteran mes liderëve. Kam dëgjuar kaq shumë herë: “ju duam në Evropë”, por kurrë nuk ndodhte që të hidhej një hap. Na duhej Vladimir Putin që të hidhte një hap. Nga një anë Putini ndihmoi Evropën që të zgjohej e të përshpejtonte procesin për ne në përgjithësi dhe Trump e ndihmoi Evropën që të kuptonte që të mblidhte veten“, tha ai.

Rama: E thjeshtë të godasim Trumpin dhe SHBA-të, por problemi i Evropës…

Mes të tjerash, duke iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga gazetarët në panel, kryeministri shqiptar u shpreh se aktualisht mund të jetë gjëja më e lehtë për të goditur presidentin amerikan Donald Trump, mirëpo sipas tij problemi i evropianëve qëndron diku tjetër.

“Kur bëhet fjalë se çfarë ka në sfond, gjëja më e lehtë është të godasim SHBA-të apo Trumpin ndërkohë që problemi nuk është Trumpi apo SHBA. Nuk është nëse vijnë e ikin. Problemi ynë është se si do të bëhet Evropa një fuqi që do të përballojë këtë rritje të kapacitetit të saj ushtarak, ndërkohë që bëhet ai vendi që të gjithë kemi adhuruar kur ishim përtej murit”, tha Rama, duke shtuar që Evropa duhet të bëhet vendi i konkurrueshmërisë, me një treg të mirëfilltë të përbashkët, me një treg të pafragmentarizuar energjetik, me një treg ku Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht e rregulluar por edhe e krijuar dhe të bëhet vendi “ku nuk duhet të harrojmë se ajo që e ka bërë Evropën atë që është, nuk është fakti se hyn në luftë, por se ka qenë fuqia më e jashtëzakonshme e butë”.

Ai shtoi se Evropa duhet të flasë patjetër me presidentin rus Vladimir Putin, dhe sipas tij kjo nuk do të thotë se nuk po mbështet Ukrainën.

Kujtojmë se Shqipëria është pjesë e Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE) në Estoni, një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës në fushën e sigurisë kibernetike.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se kjo qendër shërben si një platformë bashkëpunimi mes vendeve anëtare të NATO-s për zhvillimin e strategjive, trajnimeve dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse ndaj kërcënimeve digjitale.