Kryeministri Edi Rama mbërriti këtë të hënë në Paris, ku me ftesë të presidentit francez Emanuel Makron do të marrë pjesë në edicionin e nëntë të “Forumit të Paqes”.
Kreu i qeverisë shqiptare pati një takim të veçantë kokë më kokë me Macron në Pallatin Elize. Sipas një komenti të shkurtër në rrjetet sociale, Rama shprehet se në takim u fol për të gjitha temat me interes të përbashkët, në vigjilje të Forumit të Paqes që do të mbahet të martën.
Për dy ditë, liderë dhe përfaqësues nga e gjithë Evropa do të mblidhen në Paris për të diskutuar mbi sfidat globale.
Forumi i Paqes i këtij viti është konsideruar si një platformë ndërkombëtare që sjell në vëmendje rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.
Në kuadër të Forumit, Kryeministri Rama do të jetë pjesë e sesionit të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për brezat e rinj.
Rama do të jetë gjithashtu pjesë e Seancës Plenare të Forumit, me temë “Nga sovraniteti ne bashkëpunim” e cila do të trajtojë dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Një prej aktiviteteve kryesore do të jetë edhe Samiti për Fëmijët, i cili synon të vendosë mirëqenien dhe mbrojtjen e tyre në qendër të bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjithsej në këtë samit janë parashikuar mbi 350 folës dhe rreth 80 sesione diskutimi.
/tvklan.al












Botërori 2026 