Rihapet lëvizja, plazhet, kufijtë, kopshtet dhe çerdhet

Kjo është java e fundit e kufizimeve për shkak të pandemisë në vendin tonë. Duke filluar nga e hëna, në vend do të rikthehet pothuajse normaliteti. Përmes një komunikimi, që kryeministri Edi Rama tha do të ishte e fundit për koronavirusin, sqaroi heqjen e kufizimeve.

 “Kjo është java e fundit e masave të mbetura kufizuese. Në 1 Qershor hapim kufijtë tokësor të vendit, kopshtet, çerdhet dhe qarkullimin e makinave në të gjithë vendin, edhe plazhet do të jenë të hapura… asnjë subjekt privat nuk do vendose çadër në rërë përveç hoteleve. Kjo do jetë java e fundit e zonave me ngjyra dhe e fundit me ndalim kufiri në çdo zonë të kuqe…”

Por do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura ende disa aktivitete dhe shërbime.

 “Aktivitetet kulturore dhe sportive, dasmave dhe funerale qe s’mund të mblidhen qindra njerëz bashkë, transporti që do rrijë mbyllur për edhe për pak”.

Për kreun e qeverisë grumbullimet mbeten të rrezikshme për përhapjen e Covid-19. Në këtë pikë dha një përgjigje për protestat pas shembjes se Teatrit.

 “Shfaqjet politike me turma pa masa mbrojtëse, me një karshillëk që flet për papërgjegjshmëri dhe dritëshkurtësi po vazhdojnë edhe përtej të tretave të Teatrit. Sa për të mbledhur firma për pseudoaktorët e Teatrit që janë marioneta në funksion të një partie të re. Po luhet me zjarrin, bëni kujdes o njerëz se nuk iu vjen asgjë e keqe nga meraku nga kujdesi im, qoftë edhe i tepruar”.

Një përgjigje pati edhe për akuzat e opozitës për mënyrën e menaxhimit gjatë pandemisë.

“Avazin e përsëritur dhe gazrat e radhës së fodullëkut pseudoopozitar, i mori era”.

Kreu i qeverisë tha se në vazhdimësi do të rishikohet edhe paketa e ndihmës financiare për personat dhe bizneset e prekura. Sipas Ramës virusi nuk është zhdukur ende ndaj apeloi që të gjithë të bëjnë kujdes për të mos rikthyer sërish kufizimet.

Tv Klan