Investimi në Zvërnec dhe protestat qytetare që po mbyllin javën e tretë dominuan fjalën e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar, mbajtur në Pallatin e Brigadave.
Deputetëve dhe kabinetit qeveritar, Rama, u tha prerazi që jo vetëm nuk e mendon dorëheqjen, por siguroi se do të respektojë kontratën e lidhur me qytetarët.
“Një qeveri nuk mund të bëjë kurrë, nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet duke i bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. Nuk çohet në fund një mision historik, nëse qeveria e tij merr drejtim nga fryn era.”
Thotë se vendi nuk mund të qeveriset nëpërmjet algoritmeve, edhe pse pranon se nga protesta ka vend për të nxjerrë mësime.
“Askush nuk mund ta thotë që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen, por zgjedhja jonë është e detyruar, nuk është një nga disa zgjedhjet. Është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë, jo propagandën. Të vijojmë të korrigjojmë gabimet tona, patjetër, të mësojmë nga njëri-tjetri, të mësojmë aty ku mundemi gjithmonë. Por kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Kemi detyrën të ndërtojmë, shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë në kanalet e algoritmave. Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë.”
E janë pikërisht këto algoritme që thotë se e kanë kthyer Shqipërinë prej 20 ditësh në syrin e një ciklopi digjital. Vëmendja ndërkombëtare thotë se nuk erdhi për shkak të shqetësimit për Nartën, por përfshirjen në të të Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Trump.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës.”
Hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës se ka qenë në Aruba.
“Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë.”
Një përgjigje e pati edhe për kritikët ndër radhët e tij.
“Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj as janë bashkë, por u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë atij oqeani virtual deri te dhëmbë të atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit.”
Me ironi komentoi edhe kërkesat për një Shqipëri të Re, përfshirë edhe nga vetë brenda grupit parlamentar.
“Se është edhe një thirrje ‘Për një marrëveshje të re për Një Shqipëri të re’ dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re, mezi pres të na e sjellin draftin të shkruar. Jemi gati për një marrëveshje të re për një Shqipëri të re. Po kam frikë se drafti nuk do vijë kurrë.”
Pranon se rruga përpara është e vështirë, por misioni thotë se mbetet një.
“Nuk jemi për të qenë të pëlqyer, por të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona, nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur, është në një luftë me vetveten, dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë, kemi detyrë të çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht. Në këtë rrugë do na dalin shumë të tjerë anash, përballë. Kemi fakte sa të duash, falë algoritmit vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre. Ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre, në kuptimin që të intimidohemi apo kompleksohemi. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga ime, e jona e PS.”
/tvklan.al












Botërori 2026 