Nuk ka bllokim të negociatave me Bashkimin Europian.
“Kjo është totalisht e pavërtetë. Kush i thotë këto nuk e ka fare idenë se për çfarë flet”. Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës për bllokim të negociatave, ndërsa nënvizoi se prilli është muaji i diskutimeve intensive sa i përket këtij procesi.
“Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por janë një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme. Ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është një provim kyç, por ama nuk ka absolutisht, zero motiv për të folur për bllokim, për pengim”.
Ai tha se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm, ku në krah ka Komisionin Europian, i cili ka dhënë vlerësim pozitiv për piketat e ndërmjetme.
“Ne sot jemi në kushtet kur kemi hapur të gjithë kapitujt, kur po diskutojmë dhe po ballafaqohemi me Komisionin Europian në krah, çka është shumë e rëndësishme, dhe përballë kemi shtetet anëtare për piketat e ndërmjetme që janë një moment kyç në negociata dhe për të cilat Komisioni Europian ka dhënë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë”.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te korrupsioni. Rama tha se përdorimi i shpeshtë i këtij termi lidhet me perceptime subjektive dhe jo mbi fakte.
“Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se ndonjëherë më parë do të thotë të flasësh përçart. Natyrisht që sot flitet më shumë për korrupsionin, qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe totalisht subjektive”.
Ai shtoi se kjo dëshmohet nga rritja e vazhdueshme e pensioneve.
“Nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë rritje pensionesh me një projeksion i cili është i përfshirë në parashikimet buxhetore të katër viteve, ku çdo janar rritja do të dyfishohet. Që do të thotë, në janarin 2028 do të trefishohet, në janarin 2029 do të katërfishohet dhe në janarin 2030 do të pesëfishohet”.
Gjatë prezantimit të portalit Kombëtar të Punësimit dhe Aftësive, kryeministri Edi Rama tha se falë punës së administratës procesi i anëtarësimit po ecën me shpejtësi sipas kalendarit të dakordësuar me Brukselin.
“Qindra punonjës e kanë përfaqësuar shtetin shqiptar me shumë dinjitet dhe kanë fituar besimin e palës tjetër, që është stërvitur me dekada për t’ua nxirë jetën atyre vendeve që janë ulur në atë tryezë për t’u anëtarësuar në BE”.
Pesë mijë vende të reja pune në administratën shtetërore janë në dispozicion të të rinjve të sapodiplomuar apo profesionistëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 