Teksa në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet kërkesa e gjyqtarëve për një rritje të dytë të pagave brenda tre viteve, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë proces si një farsë të papranueshme.

“Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!”

Sipas kreut të qeverisë, përpjekja e gjyqtarëve për të siguruar rritje të vazhdueshme pagash përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese të ekzekutivit dhe legjislativit, duke e kthyer këtë çështje në një precedent të rrezikshëm.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të Parlamentit për politikën e pagave. Ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrsesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.

Gjyqtarët kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023, përmes të cilave qeveria zbatoi një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke përcaktuar që paga e gjyqtarëve të jetë në masën 36 për qind të pagës së Presidentit të Republikës.

Tv Klan

/tvklan.al