Anullimi i Paketës së Maleve është një nga kërkesat e protestës që vijon përpara kryeministrisë prej afro 2 muajsh.
Por për kryeministrin që ishte në Theth ku janë shpallur fitues 11 nga 200 aplikimet e para të kësaj pakete, ka një keqkuptim të madh lidhur me këtë nismë ligjore, arsye që nxiti dhe bashkëbisedime kësaj të marte me banorët e zonës.
“Të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të 7501-it të dëgjojnë dhe të kuptojnë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe gjithë ligësive që thuhen lidhur me këtë proces dhe me paketën e maleve. Paketa e maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Ekzaktësisht e kundërta. Paketa e Male nuk është as për uzurpues, as për biznesmen që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju. As për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas 7501-it, sepse ju dhe të tjerët në këto territore nuk e kanë pranuar 7501-in, e kanë ndarë tokën mes veti me kufijtë e vjetër dhe përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin, por dhe për të adresuar aspektin tjetër që ka të bëjë me territore ku nuk ka, siç është këtu për shembull asnjë mundësi tjetër zhvillimi përveç turizmit”, tha Rama.
Rama rreshton të gjitha akuzat që i përsëritën lidhur me paketën e maleve dhe shpjegon përse nisma nuk ju shërben oligarkëve por ju shërben vetëm trashëgimtarëve të pronave që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të ketë një dokument pronësie.
“Mariani dhe dy vëllezërit e tij, të cilët jam shumë i lumtur që do lënë Italinë për t’u kthyer, për të ndërtuar bashkërisht edhe për të punuar bashkërisht këtu, janë pronarë të këtij territori me zakon, por kjo pronë sot është shtet. Pra, janë pronarë që nuk e posedojnë pronën e tyre, në kuptimin e ligjit. Kadastra nuk ka në këtë territor asgjë tjetër përveçse pronë shtet. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo dhe kjo shpjegon pse ne kemi vendosur atë 1 euron. Sepse, në momentin kur Mariani dhe vëllezërit do të marrin lejen, do të marrin dhe pronën me 1 euro, në perimetrin e përcaktuar. Dhe, në momentin kur ndërtimi do të mbarojë, ata do të marrin hipotekën dhe prona do të bëhet e tyrja. Ky është dhe ky proces shpjegon pse historia me fantazma, me biznesmenë, me oligarkë, me alienë që do vijnë nëpër male të marrin tokat e njerëzve që i kanë trashëguar, është histori e njerëzve ose krejt të painformuar, ose thellësisht shpirtzinj, sepse histori tjetër të tillë nuk ka. Nuk ka zot, kur i thonë fjalës, që vjen dhe i merr tokën Marianit këtu nga qyteti, se e sjell këtu qeveria. Kjo është fantazi e sëmurë, siç është e sëmurë edhe gjithë, fantazia tjetër që ata që quhen oligarkë paskan vajtur dhe paskan pushtuar toka”, tha Rama.
Edhe Rrjolli sipas Ramës ndryshe nga sa është paraqitur nuk është një pronë që shteti ju ka dhënë oligarkëve ashtu sikurse dhe Zvërneci.
“Dalin lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj delirantësh, lloj-lloj ekstremistësh, ekstremistë sa të majtë e sa të djathtë, domethënë si me kaluar biçikleta, me e ndarë përgjysmë, dhe thonë: “Nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri, nuk duam të shesim Shqipërinë”.Kujt po ja shesim Shqipërinë? Kur, ku, si, kush po e blen Shqipërinë? Pse ata që janë në investimin e shumë diskutuar të Katarit që sot kanë blerë çerekun e Parisit, kanë marrë Francën me vete në Katar.Dhe po të them me garanci që ta dish ti, nuk ka në Shqipëri investim me leje, me leje, pa leje është histori tjetër, me leje, që nuk ka pronarët pjesë. Nuk ka. Tani çfarë do më thoni? Do më thoni Rrjollin? Po hajde shiheni dosjen e Rrjollit. Pse nuk shkojnë në gjykatë ata? Nëqoftëse Rjolli është një leje e dhënë një oligarku në tokën e të tjerëve, të tjerët që kanë tokën mund të çohen dhe ta bllokojnë menjëherë në gjykatë ose ta çojnë në prokurori. Pse nuk e çojnë në prokurori? Pse nuk e çojnë Rrjollin ata në SPAK? Ta çojnë në SPAK. Le ta çojnë dhe le të provojnë ata që ata janë pronarët dhe që ndërkohë aty shteti ja ka dhënë dikujt në tokën e tyre. Jo more zotëri, nuk është kështu. Sepse dosja e Rrjollit ka të gjithë pronarët brenda, ka të gjitha marrëveshjet e bëra brenda, ka të gjitha shitjet dhe blerjet brenda”, tha Rama.
Rama shkon në Theth fiks një vit pasi në këtë zonë u shembën me dhjetra ndërtime pa leje, e disa prej pronarëve të cilët ishin në takimin me kryeministrin që iu shpjegoi arsyen e atij aksioni.
“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë “vazhdoni ju ndërtoni se ne do i legalizojmë”. Kjo është e pavërtetë se nuk kam pas si ta them se do isha në shkelje të ligjit. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do legalizojmë ekzistueset. Do legalizojmë, duke filluar nga ndërtimet e vjetra, Ajo që ndodhi dhe ju e dini shumë mirë ishte që mbas vizitës time shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu. A thua se u mor leja që o burra dhe me idenë që meqë do legalizohen hajde po futem. U arrit të goditej zemra e Thethit.Kartolina botërore e Thethit. Po të shkosh të shkruash Theth në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë që del është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?”, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 