Pas partive të reja Edi Rama sheh lista me njerëz problematikë, ndaj dhe nga Lezha ku prezantoi kandidatët e këtij qarku, votën e të rinjve socialistë e kërkoi për ekipin e tij.

“Thonë që kanë dalë parti të reja, 17 kishin për dekriminalizim, listat me njerëz problematikë. Ato janë parti që merr babën, nonën, çunin e tezes dhe kap knej e andej ju dalin kukumjaçka e lloj lloj insektesh”, shprehet Rama.

Rrëzimi nga pushteti i partisë që drejton thotë se mund të vijë vetëm nga një forcë politike e krijuar përmes inteligjencës artificiale.

“Kështu siç po shkon puna PS mund ta mundin vetëm kur të bëhet ndonjë parti me inteligjencë artificiale psa deputetë real”, tha kreu i qeverisë.

Nuk ka as më të voglin dyshim në fitoren e 11 Majit dhe kundërshtarëve në kampin blu u kujton se nuk do arrijnë të marrin as rezultatin e 2021-it.

“Ata si Luli nuk kanë pasur dhe nuk kanë për të pasur se rezultatin që arritën me Lulin nuk e arrijnë më”, thekson Rama.

Ndërsa më herët në komunikimin e përditshëm me qytetarët në rrjetet sociale, Kryeministri e cilësoi përfitimin nga fondi i “planit të rritjes” së Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si meritë për reformat e përmbushura.

“Shpejtësia në planin e ri të Rritjes do të thotë përmbushje e detyrave sipas kalendarit dhe programit, kalendarit dhe programit të dakordësuar”, tha Rama.

Ndaj ai këmbëngul se anëtarësimi është jetik për Shqipërinë dhe vijimi i projektit të Bashkimit Europian gjithnjë dhe më shumë po kuptohet se është jetik dhe për të gjithë popujt e shteteve anëtare të cilët për herë të parë në anketimin e përvitshëm që bëhet nga unioni prej 1983, 74 përqind e qytetarëve europian vlerësojnë mbështetjen e BE.

“Kjo bluja është mbështetja vend pas vendi për Bashkimin Europian”, shprehet Rama.

Rama përsërit se ai dhe PS janë ata që sollën drejtësinë që opozita e unifikuar nuk e donte që në nisje të reformës dhe kërkon ta shkrijë.

“Ata janë penguesit dhe armiqt e reformës në drejtësi”, deklaron Kryeministri.

Një prej ndjekëseve me të cilët replikon gjatë komunikimit i kujtoi se nuk e drejton ai Bashkinë e Tiranës që prej 2011.

Kryeministri lajmëroi që në nisje të komunikimit të kësaj të marte qe do të rinisin takimet me diasporën, në fundjave në datën 29 dhe 30 Mars do të jetë në Kretë dhe Athinë ndërsa 13 Prill do të rikthehet në Milano për të takuar shqiptarët që jetojnë në Itali.

Edhe axhendën e së martës Rama e mbylli me një takim në shtabet elektorale të socialistëve në Njësinë 6 në Tiranë ku theksoi se mesazhi që duhet përcjellë është vota për të çuar vendin në Bashkimin Europian.

Tv Klan