Në një intervistë për Financial Times, kryeministri Edi Rama ka qenë më i drejtpërdrejtë se asnjëherë më parë për të gjithë ata që i kërkojnë dorëheqjen, duke e akuzuar se po sillet si “Kumbari” i Shqipërisë, duke lejuar investitorë të huaj të ndërtojnë në zona të mbrojtura.

“Njerëzit thonë se unë jam në krye të gjithë kësaj. Unë u them atyre të shkojnë në djall. Kaq e thjeshtë. Nuk është puna ime të vërtetoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të vërtetojnë se unë jam Kumbari”.

I pyetur për hetimet e SPAK mbi pronësinë e tokës në Zvërnec, Rama thotë se kompania e Jared Kushner nuk ka lidhje me këtë çështje. Ai hedh poshtë edhe akuzat për ndikimin e parave të pista në ekonomi.

“Të thuash që ekonomia shqiptare është [e bazuar] në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme. Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem aq i madh. Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Po. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në një pjesë të madhe pastrim parash? Jo”.

Sipas Ramës, qeveria e tij ka lejuar prokurorët të hetonin gjithçka, edhe pse kjo rriti perceptimin për nivelin e korrupsionit.

“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte”.

Ai përsëriti akuzat se protestat janë nxitur nga armiqtë e Donald Trump, përfshirë edhe Iranin.

“Ka shumë interes për ta mbyllur këtë projekt… për shkak të Trumpit. Nëse nuk do të ishte Jared Kushner… askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë urrejtja kundër Trumpit që krijon gjithë këtë vëmendje”.

Rama u shpreh i bindur se investimi në Zvërnec dhe Sazan do të shkojë përpara, pavarësisht protestave.

“Gjëja e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë [të përfshirë në] pastrim parash. Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë”.

Kryeministri Rama është shprehur në vijimësi se projekti i Zvërnecit do të respektojë natyrën dhe do të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Tv Klan

/tvklan.al